Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

E Hënë, 09.07.2012




Deputetë të Kuvendit të Kosovës, anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të drejtorive komunale për shëndetësi, të spitaleve rajonale, të sindikatës së shëndetësisë e të organizatave ndërkombëtare, mjekë dhe ekspertë, në dëgjimin e sotëm publik të organizuar nga Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës, kanë diskutuar lidhur me Projektligjin për shëndetësi.

Gjatë takimit u shtrua nevoja dhe domosdoshmëria për ndryshime në sistemin e shëndetësisë, me ç’rast u dhanë edhe alternativa të ndryshme ligjore për përmirësimin e tij.

Kryetari i komisionit dhe kryesues i këtij takimi, Fikrim Damka, e konsideroi këtë dëgjim publik të një rëndësie të veçantë, i cili, sipas tij, do t’i mundësojë komisionit të marrë qëndrimet nga të gjitha palët e interesuara dhe propozimet e vlefshme t’i inkorporojë në projektligj gjatë fazës së amendamentimit.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në cilësi të sponsoruesit arsyetoi procedimin e këtij projektligji në Kuvend dhe shkoqiti aspekte përmbajtësore të tij. Ai tha se miratimi i këtij projektligji do të shënojë fazën e parë të një reforme rrënjësore në sistemin e shëndetësisë, e cila do të pasohet me miratimin e Ligjit për sigurime shëndetësore, që parasheh reformë në dimensionin financiar të shëndetësisë.

Ai tha se Projektligji për shëndetësinë është rezultat i një pune disavjeçare, e shoqëruar me konsultime me partnerët vendorë, si dhe Bankën Botërore e Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, nga ana e tij, u shpreh kundër këtij projektligji, duke shfaqur qëndrimin që krahas tij do të duhej të procedohej edhe Projektligji për sigurimet shëndetësore. Ai identifikoi disa nene të projektligjit, me përmbajtjen e të cilave sindikalistët kanë shprehur pakënaqësi.

Drejtorë komunalë për shëndetësi dhe drejtorë të spitaleve rajonale, gjithashtu, argumentuan nevojën që gjatë fazës së amendamentimit, projektligji t’u nënshtrohet plotësim-ndryshimeve të nevojshme, të cilat do t’u jepnin zgjidhje disa shqetësimeve që mund të ketë ngritur ky projektligj në mesin e punëtorëve shëndetësorë.

Anëtarët e komisionit dhe deputetë të tjerë të Kuvendit, nga ana e tyre, potencuan nevojën e ndryshimeve pozitive në sistemin e shëndetësisë dhe shfaqën vullnetin e tyre për t’u dhënë një zgjidhje sa më të mirë dhe të drejtë ligjore problemeve me të cilat ky sektor jetik i vendit tonë përballet prej disa vitesh.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale