Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim
E Hënë, 09.07.2012
Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, ka shqyrtuar Projektstatutin e Universitetit të Prishtinës.
Në funksion të përgatitjes sa më të mirë të raportit me rekomandime për këtë Projektstatut, Komisioni në po këtë mbledhje ka krijuar grupin punues për shqyrtimin e këtij akti normativ të Universitetit Publik, kryesues i të cilit është zgjedhur deputeti Ramë Vataj, kurse zëvendëskryesues, deputeti Eqrem Kryeziu.
Duke qenë se Projektstatuti i Universitetit të Prishtinës duhet të miratohet me një shqyrtim, deri në fillimin e Sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës, grupi punues duhet të përgatisë Raportin me rekomandime, i cili duhet të miratohet nga Komisioni dhe t’i paraqitet seancës për t’i inkorporuar (plotësimet) në tekstin final të Statutit të Universitetit të Prishtinës.