Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi ka përgëzuar kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotin John Boehner
E Marte, 03.07.2012
Me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi, i ka dërguar një telegram urimi
kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit John Boehner, me këtë përmbajtje:"
I nderuar Zoti Kryetar,
Me rastin e dyqind e tridhjetë e gjashtë vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, kam kënaqësinë e veçantë t' ua përcjell urimet më të sinqerta Juve dhe tërë popullit amerikan.
Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Dhoma e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara kanë pasur sukses në zhvillimin e marrëdhënieve të shkëlqyera. Unë jam i bindur se këto marrëdhënie do të vazhdojnë të zgjerohen dhe intensifikohen. Me këtë rast, dëshiroj edhe njëherë t'ju siguroj për vullnetin dhe dëshirën tonë për bashkëpunim midis Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Ju lutem Shkëlqesi, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë", theksohet në telegramin e kryekuvendarit Krasniqi.