Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës
E Marte, 03.07.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Gani Gërguri. Me këtë rast, guvernatori Gërguri pasi ia dorëzoi Raportin vjetor për vitin 2011 kreut të Kuvendit Krasniqi, e njoftoi atë për të arriturat dhe sfidat e këtij institucioni financiar. Duke folur për të arriturat, Gërguri tha se funksionimi i suksesshëm i letrave me vlerë mbi parashikimet e BQK-së dhe rritja ekonomike vjetore prej 4%, janë treguesit më të mirë të stabilitetit financiar. Ndër të arriturat e tjera, ai vlerësoi rikthimin e BQK-së në programin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe draftimin e ligjeve që kanë të bëjnë me sektorin financiar. Për sa i përket sfidave, guvernatori Gërguri tha se anëtarësimi në SFIFT dhe OKB, si dhe mungesa e kartonit të gjelbër të sigurimeve, paraqesin pengesa serioze në zhvillimin e mirëfilltë të sektorit bankar në Kosovë. Në vijim, Gërguri foli edhe për investimet jashtme dhe dërgesat e emigrantëve. Investimet e huaja, tha ai, kanë shënuar vlerën prej 394.6 milionë euro, (7.9% më shumë se në vitin paraprak), ndërsa, dërgesat e emigrantëve arrijnë vlerën prej 584.8 milionë euro.
Kryeparlamentari Krasniqi, ndërkaq, pasi falënderoi guvernatorin për Raportin dhe performancën pozitive që ka treguar BQK-ja, u interesua për mundësin e zbritjes së kamatave për kredimarrësit si dhe krijimin e kushteve për investitorët e jashtëm në fushën e sistemit bankar në Kosovë. Për këtë, kreu i Kuvendit premtoi përkrahje të pa rezervë nga ana e Kuvendit, duke kërkuar gjithashtu, që BQK-ja të bëjë ç'është e mundur për uljen e normave të interesit.