Lajmet e fundit
Mbledhjet e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike
E Marte, 03.07.2012
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga kryetari i komisionit Ali Sadriu, pikë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i Raportit të auditimit të pasqyrave financiare për Administratën Tatimore të Kosovës, për vitin 2011, në të cilin takim morën pjesë drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, si dhe Auditori i Përgjitshëm, Lars Lage Olofsson.
Pas prezantimit të raportit nga ana e Auditorit Gjeneral, Lars Large Olofsson, anëtarët e komisionit u dakorduan që për shkak të mungesës së ministrit të Financave, Bedri Hamza, në këtë takim, shqyrtimi i këtij raporti të shtyhet për një mbledhje tjetër.
Edhe në takimin tjetër të sotshëm të komisionit, pikë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i raportit të auditimit të pasqyrave financiare për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Mirëpo, në mungesë të kryetarit të KPMSHCK-së, Mehdi Geci, shqyrtimi i këtij raporti po ashtu është shtyrë për një takim tjetër të komisionit.
Me këtë rast, kryetari i komisionit Ali Sadriu, theksoi se në trajtimin e këtyre temave duhet të jenë prezent personat të cilët janë emëruar nga Kuvendi dhe ky është vendim i prerë i komisionit. Andaj, shtoi ai, mungesa e tyre po sjell probleme në punën e komisionit.
Sadriu, po ashtu sqaroi se raportet e auditimit nga Zyra e Auditorit Gjeneral, në komision janë sjellë gjatë muajit prill, ndërsa shtoi se, kjo është dashur të ndodh në muajin shkurt.