Lajmet e fundit

Mbledhjet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Hënë, 02.07.2012




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, shqyrtoi Raportin e Auditimit për efikasitetin në menaxhimin dhe monitorimin e Kompanive të Ujërave.

Fillimisht, disa nga anëtarët e komisionit kritikuan ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, për mos prezencën e tij në komision gjatë shqyrtimit të këtij raporti. "Është radha e pestë që ministri Beqaj nuk i përgjigjet ftesës sonë", sqaroi Sadriu duke shtuar se ky raport do të diskutohet në mbledhjen e Kuvendit.

Me këtë rast, komisioni shqyrtoi raportin pa prezencën e ministrit Beqaj duke kërkuar sqarime nga përfaqësues të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm lidhur me raportin.

Pas prezantimit të raportit nga përfaqësues të ZAP-it, anëtarët e komisionit ngritën shqetësime të shumta rreth të gjeturave në këto ndërmarrje, me theks të veçantë për humbjet e ujit, si dhe për mos mbajtjen e takimeve të aksionarëve të ndërmarrjeve publike.

Përfaqësues të ZAP-it vlerësuan se mbikëqyrja e këtyre ndërmarrjeve nga ana e bordeve nuk ka qenë e mjaftueshme dhe se lidhur me menaxhimin janë vërejtur sfida të ndryshme, operative dhe financiare. "Shumica e këtyre kompanive janë ballafaquar me humbje të vazhdueshme të ujit dhe kanë operuar gjatë vitit me humbje financiare", theksuan ata. Sipas tyre një sasi e madhe e ujit që është distribuuar ka humbur dhe nuk është faturuar fare, ndërsa u theksua edhe fakti që ZAP-i ka vërejtur edhe disa lëshime procedurale, me theks të veçantë lidhur me mënyrën e regjistrimit të aseteve në këto ndërmarrje publike, se si ato inventarizohen në fund të vitit.

Për shkak të disa mospajtimeve gjatë këtij takimi, nënkryetari i komisionit Ramiz Lladrovci dhe anëtari i komisionit Adem Grabovci, braktisën mbledhjen e komisionit.

Ndërsa, në një takim tjetër të komisionit, u shqyrtua edhe raporti vjetor i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, i cili do të procedohet për miratim në Kuvend.

Mbledhjet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike