Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Hënë, 02.07.2012




Mbledhja e rregullt plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet të enjten, më 5 korrik. Kështu është vendosur në mbledhjen e sotme të Kryesisë, të drejtuar nga dr.Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare.

Pikë kryesore e kësaj seance do të jetë interpelanca e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik , Besim Beqaj, lidhur me procesin e privatizimit të Shpërndarjes dhe të Furnizimit të KEK-ut. Interpelanca mbahet sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në vazhdim të seancës do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për mbrojtjen e bimëve dhe Projektligji për regjistrimin e bujqësisë, ndërkaq parashihet që të shqyrtohet edhe Projektligji për shfuqizimin e neve 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nëse kështu i propozon seancës Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi.

Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet edhe Strategjia Minerare e Republikës së Kosovës për periudhën 2012-2025, si dhe Rekomandimi i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e auditmit të pasqyrave vjetore financiare të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik.

Si rëndom, edhe në këtë seancë të rregullt, do të shterohen edhe deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës.

Me kërkesë të ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila është shtyrë për seancën tjetër të radhës interpelanca e ministres, sipas kërkesës së grupit të deputetëve nënshkrues, lidhur me vendimin e marrë për vendosjen e tarifës prej 35 % çimentos nga Shqipëria. Për javën e ardhshme, ndërkaq, është shtyrë edhe debati parlamentar lidhur me përdorimin e tri (3) kodeve të huaja telefonike në Kosovë (sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues).

Para se të nxirret për votim në seancë, Kryesia e ka parë të nevojshme të rishikohet Rekomandimi i Komisionit ad-hoc për zgjedhjen e shtatë anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, në mënyrë që përzgjedhja të bëhet konform ligjit.

Në takimin e sotëm të Kryesisë ka pasur dallime qëndrimesh të shefave të grupeve parlamentare lidhur me procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të iniciuar nga deputeti Ramë Vataj. Kryesia, prandaj, e ka parë të nevojshme që, para se projektligji i propozuar t'i dërgohet Qeverisë për mendim, çështja të studiohet mirë dhe të bisedohet edhe me deputetin nismëtar.

Anëtarët e Kryesisë në takimin e sotëm janë njoftuar me kërkesën e kryetarëve të grupeve parlamentare të Kuvendit lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës.

 

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit