Lajmet e fundit

Mbledhje solemne e Kuvendit me rastin vizitës së presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi

E Premte, 29.06.2012




Me rastin vizitës zyrtare në Republikën e Kosovës të presidentit të Shqipërisë, z Bamir Topi, Kuvendi i Kosovës, i kryesuar nga kryekuvendari Jakup Krasniqi, mbajti sot seancë solemne, në të cilën mori pjesë edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga . Duke e përshëndetur presidentin Bamir Topi, në emër të tij dhe të Kuvendit të Kosovës, kryekuvendari Krasniqi tha se vizitat e presidentit gjithnjë përbëjnë ngjarje të shënuara për Kosovën dhe qytetarët e saj. "Gjatë këtyre vizitave kemi pasur mundësinë dhe kënaqësinë e dialogut institucional, gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit, ndarjen e shqetësimeve të përbashkëta në rrafshin shqiptar, shqetësimet tona për paqen në Ballkan dhe progresin tonë të përbashkët drejt rrugëtimit dhe dëshirës sonë te palëkundur për t'iu bashkuar Bashkimit Evropian. Në vazhdën e këtij dialogu vëllazëror përfitoj nga rasti të ndaj me ju sot zhvillimet pozitive që Kosova ka përjetuar gjatë këtyre viteve të fundit", theksoi kreu i legjislativit të vendit.

Republika e Kosovës tashmë është njohur nga mbi 90 shtete anëtare të OKB-ës dhe po vazhdon të mbështetet edhe nga shtete të tjera, të cilat janë në proces të njohjes së Republikës së Kosovës. Kosova është shndërruar në një faktor paqeje e stabiliteti të qëndrueshëm në rajon. Fatkeqësisht, jo të gjitha vendet e rajonit janë në shërbim të paqes e të stabilitetit. Stabiliteti gjithnjë në rritje, që mbretëron sot në Kosovë dhe në përmbushje të standardeve evropiane, mbeten sfida të përditshme të shoqërisë sonë. Kosova tashmë ka marrë udhëzuesin për liberalizimin vizave nga ana e Bashkimit Evropian. Institucionet e Kosovës janë më se të angazhuara që të kryejnë me kohë obligimet që dalin nga ky udhëzues, që sa më parë edhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, si të gjithë qytetarët tjerë të rajonit, tha z. Krasniqi.

Avancimi i reformës kushtetuese dhe asaj zgjedhore- parakushte për krijimin e një shteti modern të demokracisë parlamentare

Kuvendi i Kosovës në kuadër të obligimeve të tij ligjvënëse, aktualisht është angazhuar në avancimin e reformës kushtetuese dhe asaj zgjedhore, si parakushte për krijimin e një shteti modern të demokracisë parlamentare.
Shqipëria ka qenë historikisht edhe në momentet më të vështira, mbështetëse e Kosovës, e veçanërisht gjatë përpjekjeve dhe luftës së saj të gjatë për liri dhe pavarësi. Sot, Shqipëria, anëtare e Aleancës Veri-Atlantike, e cila po përçon mesazhe sigurie në rajon, angazhohet seriozisht në përpjekjet e vendeve të tjera të rajonit për t'iu bashkëngjitur kësaj Aleance dhe ndihmon në zhvillimin e urave të komunikimit.

"Nisur nga ky fakt, shfrytëzoj rastin që të kërkoj nga Ju, z. President, dhe mbarë institucionet më të larta të Shqipërisë, që të angazhoheni edhe më tej fuqimisht në mbështetjen e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësimin e saj në këtë Aleancë, e cila kontribuoi në mbrojtjen e njerëzimit në Kosove dhe mundësoi fillimin e rrugëtimit te Kosoves drejt lirisë dhe pavarësisë së saj.

Zoti President, trojet shqiptare dhe shqiptarët kudo që janë, këtë vit do të festojnë 100-vjetorin e lindjes së shtetit të pavarur shqiptar. Akti juaj i disa ditëve më parë për dekorimin e të gjithë atdhetarëve të aktit sublim dhe heroik të pavarësisë, unifikon simbolikisht edhe njëherë aspiratat tona të përbashkëta historike, që kërkojnë zgjidhje në një rrafsh të ri vlerash, në një rrafsh dinamik e sfidues evropian", u shpreh kryekuvendari Krasniqi.

Në vijim z. Krasniqi tha se gjatë këtyre viteve, presidenti Topi ka kontribuar përmes institucionit që ushtroi si faktor i unifikimit kombëtar, i ruajtjes së balancave politike, forcimit të institucioneve të pavarura, forcimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, lobimit për njohjen e shtetit të Kosovës, dhënien e mesazheve për paqe, bashkëpunim dhe zhvillim në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar", pohoi kryekuvendari Krasniqi.

Duke përfunduar fjalën e tij kreu i Kuvendit Krasniqi tha :"Zoti President, në pak ditë Ju do të përfundoni mandatin e presidentit, detyrë të cilën Ju e kryet me dinjitet dhe ne besojmë fuqimisht se në karrierën tuaj politike në ditët e vitet që do të vinë, Ju do vazhdoni të mbeteni një faktor i dialogut dhe bashkëpunimit, urtisë dhe largpamësisë në skenën politike mbarë shqiptare".

Shteti shqiptar mbetet njëzëri i angazhuar për Kosovën e pavarur, demokratike dhe të integruar

Në vijim deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe të pranishmëve të tjerë iu drejtua, presidenti i Shqipërisë Bamir Topi. Në fillim të fjalës së tij ai tha:"Kam privilegjin dhe kënaqësinë që sot , nga tribuna e këtij institucioni të lartë , të përshëndes dhe uroj të gjithë popullin e Kosovës, për begati dhe mbarësi në misionin dhe përpjekjet e vazhdueshme për ndërtimin e Kosovës së re demokratike dhe evropiane. Fati e solli të ndaj me ju këtu në Prishtinë emocionet e pavarësisë dhe pas katër vjetësh , të mbyll mandatin tim në krye të shtetit shqiptar me këtë vizitë zyrtare në Kosovë. Ndonjëherë fatet i bëjnë vetë njerëzit me vullnetet e mira, ndaj edhe njëherë falënderoj shtetin e Kosovës, presidenten Jahjaga, kryetarin e Kuvendit Krasniqi dhe juve të nderuar deputetë , për ftesën dhe pritjen e ngrohtë , thellësisht miqësore e vëllazërore. Gjatë pesë vjetëve të fundit kam pasur nderin që në detyrën e lartë të kryetarit të shtetit shqiptar të takoj udhëheqës të shumtë botërorë, të flas në samite presidenciale dhe të kryej një veprimtari intensive diplomatike e publike. Kudo dhe në çdo rast , në çdo takim zyrtar , konferencë dhe takim informal pjesë thelbësore e agjendës sime presidenciale ka qenë ajo që pritet nga çdo president shqiptar:Kosova, mbështetja për shtetin e ri, lobimi për shtimin e njohjeve ndërkombëtare dhe sfidat e saj të ardhshme. Misioni im modest është lehtësuar nga arritjet e jashtëzakonshme historike që Kosova ka shënuar në këto vite. Pavarësisht nga rotacionet në krye të shtetit, të qeverive apo partive politike, shteti shqiptar mbetet njëzëri i angazhuar në mbështetjen për Kosovën e pavarur, demokratike dhe të integruar. Kjo është përgjegjësi dhe detyrë kushtetuese, politike,morale dhe vëllazërore, si pjesë e një kombi, e fateve të njëjta të së shkuarës dhe të ardhmes së përbashkët", theksoi presidenti Topi.

Në vazhdim të fjalës së tij presidenti Topi shprehu përgëzimet e tij në emër të shtetit dhe popullit të Shqipërisë për arritjet historike , duke shprehur krenarinë për përparimin e madh të Kosovës, për sakrificat e saj për liri dhe pavarësi, për vendosmërinë për të ndërtuar një shtet demokratik, një shoqëri të lirë,shumetnike dhe evropiane, për rolin e madh që Kosova ka luajtur e po luan në forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit demokratik në rajon e më gjerë.

Kombi shqiptar, tha në vazhdim presidenti Topi, u është përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ndihmën dhe rolin e tyre përcaktues në ekzistencën e shtetit shqiptar, në realitetin e Kosovës së re dhe në progresin e përbashkët demokratik. Mirënjohja drejtohet edhe për vendet udhëheqëse të Bashkimit Evropian dhe NATO-s për mrekullinë e vitit 1999, ndalimin e represionit serb dhe jetësimin e një Kosove të Lirë, të pavarur dhe demokratike, tha ai.

Duke përkujtuar sakrificat për këtë që gëzon Kosova ai tha:"Njëherësh solemnisht dhe së bashku ne nderojmë sot e mot sakrificat e djemve të Kosovës të udhëhequr nga Adem Jashari, rolin historik të presidentit Rugova, luftën e drejtë dhe atdhetare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si pjesë të njëjtit produkt:Kosovës së lirë, të pavarur dhe evropiane. Ju jeni shembulli më i mirë për t' i dëshmuar botës demokratike se si një vend i vogël me forcë të madhe morale, ia arriti brenda vetëm një dekade të ndahet nga dhimbjet e së kaluarës, dhe të transformojë zonën e luftës dhe gjenocidit serb në një shoqëri të paqes, harmonisë demokracisë dhe vlerave evropiane. Kosova është shembull i forcues për ndryshim, i fitores të së mirës ndaj të keqes, i vendosjes së drejtësisë historike dhe i nxjerrjes në pah të virtyteve të larta të humanizmit dhe të bashkëjetesës paqësore. Ju gjatë këtyre viteve , i dëshmuat fqinjëve veri-lindorë se jeni të gatshëm të punoni për fqinjësi të mirë, marrëdhënie korrekte dhe bashkëpunim institucional, duke mos mbetur peng i së kaluarës. Shpeshherë ju ndeshët me refuzimin e kësaj oferte, madje me nxitjen prej fqinjëve të trazirave, incidenteve, provokimeve dhe nismave diplomatike izoluese, mentalitete këto të kohës së Luftës së Ftohtë dhe politikave shoviniste të Millosheviqit. Ju sot, me progresin, njohjet ndërkombëtare dhe rolin tuaj në stabilitetin rajonal jeni dëshmia e forcës dhe vullnetit për ndryshimin e gjithë rajonit, për ndarjen e tij reale nga praktikat e gabuara të së kaluarës dhe bashkimit të tij pa vonesë në familjen e madhe të vlerave euro-atlantike", theksoi z. Topi.

Kosova është realitet për fqinjët, për rajonin dhe Evropën, identiteti dhe përkushtimi i saj evropian janë të pakthyeshëm

Ky bilanc pozitiv, pohoi në vazhdim z. Topi, përbën një bazë të mirë që vendet, të cilat ende nuk e kanë njohur zyrtarisht Kosovën , t' i bashkohen procesit të njohjes, duke dhënë kështu bashkë me Kosovën, një kontribut real për paqe afatgjatë dhe stabilitet demokratik në rajonin e Evropës Juglindore. Kosova dhe ecja e saj përpara nuk kanë kthim pas. Kushdo politikan apo politikë e modeleve ultranacionaliste që mendon e vepron ndryshe , kundër Kosovës dhe projektit evropian të Rajonit, është i destinuar të dështojë, theksoi presidenti i Shqipërisë , z. Bamir Topi.

Kosova është realitet për qytetarët e saj, për fqinjët, për rajonin dhe Evropën; është shtet me njohje të gjerë ndërkombëtare, kufijtë e saj janë të paprekshëm, identiteti dhe përkushtimi i saj evropian janë të pakthyeshëm!

Shqipëria zyrtare njeh, çmon dhe mbështet plotësisht punën e institucioneve legjitime të Kosovës në jetësimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.

Në vijim të fjalës së tij z. Bamir Topi theksoi :"Ne vlerësojmë veçanërisht përpjekjet tuaja për një politikë integruese dhe bashkëpunimi, për gjakftohtësinë ndaj çdo provokacioni, dhe për gatishmërinë e qëndrueshme në mbështetje të çdo nisme e dialogu të iniciuar nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Ne mbështesim vullnetin e palëkundur të Kosovës për dialog të barabartë dhe intensiv me të gjitha vendet tuaja fqinje, përfshirë Serbinë, duke e vlerësuar atë si investim pozitiv dhe në interes të vendeve dhe popujve të përfshira në këtë proces.

Shqipëria vlerëson se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës janë të paprekshëm, se në vijimësi mbështet plotësisht përpjekjet tuaja për shtrirjen e plotë të autoritetit zyrtar në çdo pjesë të territorit të Kosovës, si parakusht për vendosjen e plotë të sundimit të ligjit dhe drejtësisë.

Çdo pengesë në këtë mision kushtetues, qoftë në nxitjen e provokimeve apo inskenimin e strukturave paralele, meriton zgjidhje të shpejtë dhe ligjore, në përputhje me interesat e shtetit të Kosovës dhe në bashkërendim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kosova është e do të jetë një shtet evropian, demokratik, me perspektivë të qartë integruese dhe përparimi.

Duke njohur e çmuar rolin e pazëvendësueshëm pozitiv të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, Shqipëria vlerëson se përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë është një arritje madhore e popullit dhe institucioneve të Kosovës, dëshmi e progresit të dukshëm në konsolidimin e shtetit ligjor, vlerave dhe standardeve demokratike.
Sot dhe më tej ne inkurajojmë ecjen në këtë rrugë, për zgjerimin e klimës së tolerancës dhe bashkëjetesës, për respektimin e njëri-tjetrit, pavarësisht përkatësisë fetare dhe etnike. Shqipëria përshëndet marrjen nga ana e Kosovës të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, vendim i cili, edhe pse me vonesë, pritet t'i japë fund izolimit të pamerituar të qytetarëve të Kosovës. Në plotësimin e detyrimeve të tij ne jemi të gatshëm t'u ofrojmë mbështetje dhe asistencë të plotë.

Në rrugën e saj dhe përballjen me sfidat e të ardhshmes, Kosova, ashtu si vende të tjera në rajon, ka ende rrugë të gjatë dhe një listë detyrash për të zgjidhur. Përvoja e vendeve tona ish-komuniste na mësoi se vullneti për ndryshim apo legjislacioni i shkruar nuk mjaftojnë apriori për të krijuar mjedisin cilësor e funksional demokratik.

Duhet më shumë punë dhe rezultate të qëndrueshme për një mjedis ku mbrohen e garantohen plotësisht jeta dhe liritë e individit, interesi publik dhe rendi kushtetues, prona private dhe investimet e huaja, liria e medias dhe pavarësia e institucioneve. Ne kemi fatin se zgjidhemi e mbështetemi nga qytetarë me besim tek e ardhmja, nga një brez i ri me vizione, energji dhe aspirata të shumta për të ardhmen.

Njëherësh, ne kemi përgjegjësinë që ta shohim politikën dhe të drejtën e deleguar të vendimmarrjes si katalizator për një politikë sa më qytetare, më transparente, më të besueshme dhe efektive. Demokracinë e mbajnë në këmbë institucionet funksionale dhe besimi i publikut në to, ndaj edhe për arritjen e këtyre kushteve mbetet shumë për të bërë për të luftuar korrupsionin dhe çdo formë tjetër të abuzimit me interesat publike, për rritjen e transparencës dhe dialogut politik, për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe ngushtimin e distancës midis qeverisjes dhe të qeverisurve, për zgjerimin cilësor e konkurrues të garës demokratike dhe respektimin pa ekuivok të sovranitetit zgjedhor të qytetarëve, në mënyrë që çdo qytetar të ndjehet i barabartë, i dëgjuar, i respektuar, i vlerësuar dhe i përfshirë. Sfidat tona të përbashkëta nuk janë vetëm politike, por edhe ekonomike. Shqipëria dhe Kosova në sferën e bashkëpunimit ekonomik duhet të udhëhiqen nga modelet e vendeve themeluese të BE-së, duke identifikuar resurse ekonomike që janë tërheqëse për investitorë të huaj strategjikë. Projektet e përbashkëta për energjinë, transportin dhe zgjerimin e tregjeve ekonomike, për modernizimin e turizmit dhe përdorimin më efikas të bjeshkëve, fushave dhe detit: për shkëmbime intensive në arsim dhe kulturë, si dhe në çdo fushë tjetër të veprimtarisë shtetërore e publike janë dhe me interes madhor.

Po ashtu Kosova e Shqipëria, kanë një diasporë të vjetër me një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe demokracinë tonë. Prandaj dy vendet tona mund dhe duhet të tregojnë kujdes institucional në rritje për vëllezërit tanë kudo që janë, sepse ata mbeten ambasadorët tanë të përhershëm që punojnë brez pas brezi me përkushtim për familjet e tyre, por edhe për Kosovën dhe Shqipërinë", theksoi z. Topi.

Shqipëria dhe Kosova në NATO dhe në Bashkimin Evropian - motiv madhor

Presidenti i Shqipërisë pastaj i bëri një vështrim edhe 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Përkitazi më këtë ai tha: " 100 vjet më parë burrat e shtetit dhe patriotët e shquar Ismail Qemali e Isa Boletini, Luigj Guarakuqi dhe Rexhep Mitrovica vunë firmat e tyre në themelet e Shtetit të ri Shqiptar.

Merita e tyre e madhe nuk lidhet vetëm me krijimin e shtetit , por edhe me orientimin e tij në embrion si shtet me identitetet të qartë evropian dhe perëndimor.

Dy ditë më parë nderova me urdhrin më të lartë të gjithë nënshkruesit e Pavarësisë, por nderimi më i madh që mund t' u bëjnë etërve themelues, shqiptarët kudo që ndodhen , është konsolidimi i modelit të shtetit të së drejtës, përkushtimi ynë më i madh ndaj qytetarëve dhe vlerave demokratike, forcimi i identitetit tonë kombëtar dhe njëherësh, realizimi i integrimeve të plota ndër-shqiptare dhe evropiane.

Një Shqipëri dhe Kosovë në NATO dhe në Bashkimin Evropian është motiv madhor për të cilën ia vlen të punohet pareshtur, me shumë përkushtim dhe përgjegjësi. Ky objektiv apelon për punë më të mëdha, rezultate më konkrete, për përsosje të modelit shtetëror në mënyrë që shqiptarët, kudo që ndodhen, pavarësisht kufijve dhe kufizimeve shtetërore e gjeografike, të ndihen ashtu siç e meritojnë, banorë të denjë të kombit shqiptar dhe të bashkësisë së përbashkët demokratike dhe evropiane.

Zoti dhe aleatët tanë të mëdhenj euro-atlantikë u ndodhën në anën e Kosovës dhe kombit shqiptar në ditët e tyre më të vështira. Ky vend i bekuar me njerëz të mrekullueshëm meriton një të ardhme më të mirë, të begatë dhe të sigurt. Kosova i ka të gjitha shanset, energjitë dhe aftësitë të bëjë realitet ëndrrën e saj.

Edhe njëherë urimet më të përzemërta për Kosovën dhe qytetarët e saj!

Zoti e bekoftë Kosovën dhe të ardhmen e saj Evropiane!", uroi presidenti Topi në përfundim të fjalës së tij.

 

Mbledhje  solemne e Kuvendit me rastin vizitës së presidentit të Shqipërisë,  Bamir TopiMbledhje  solemne e Kuvendit me rastin vizitës së presidentit të Shqipërisë,  Bamir TopiMbledhje  solemne e Kuvendit me rastin vizitës së presidentit të Shqipërisë,  Bamir TopiMbledhje  solemne e Kuvendit me rastin vizitës së presidentit të Shqipërisë,  Bamir Topi