Lajmet e fundit

Fjalë e kryetarit Krasniqi, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e vizitës së presidentit të Republikës së Shqipërisë,z. Bamir Topi

E Premte, 29.06.2012




E nderuara presidente, Atifete Jahjaga
Të nderuar ministra
Të nderuar deputetë
Të nderuar përfaqësues diplomatik dhe të ftuar
Zonja dhe zotërinj

Kuvendi i Kosovës ka nderin dhe kënaqësinë e veçantë ta ketë sot në këtë seancë solemne Presidentin e Republikës së Shqipërisë, zotin Bamir Topi, të cilin e përshëndes në emrin tim dhe të Kuvendit të Kosovës, duke i uruar njëherësh mirëseardhje në këtë seancë solemne për nder të shkëlqesisë së tij.

Zoti president i Shqipërisë, vizitat tuaja gjithnjë përbëjnë ngjarje të shënuara për Kosovën dhe qytetarët e saj. Gjatë këtyre vizitave kemi pasur mundësinë dhe kënaqësinë e dialogut institucional, gjetjen e rrugëve te bashkëpunimit, ndarjen e shqetësimeve të përbashkëta në rrafshin shqiptar, shqetësimet tona për paqen në Ballkan dhe progresin tonë të përbashkët drejt rrugëtimit dhe dëshirës sonë te palëkundur për t'iu bashkuar Bashkimit Evropian. Në vazhdën e këtij dialogu vëllazëror përfitoj nga rasti të ndaj me ju sot zhvillimet pozitive që Kosova ka përjetuar gjate këtyre viteve të fundit.

Republika e Kosovës tashmë është njohur nga mbi 90 shtete anëtare të OKB-ës dhe po vazhdon të mbështetet edhe nga shtete të tjera, të cilat janë në proces të njohjes së Republikës së Kosovës.

Z. President, Kosova është shndërruar në një faktor paqeje e stabiliteti të qëndrueshëm në rajonin tonë. Fatkeqësisht, jo të gjitha vendet e rajonit janë në shërbim të paqes e të stabilitetit. Stabiliteti gjithnjë në rritje, që mbretëron sot në Kosovë dhe në përmbushje të standardeve evropiane, mbeten sfida të përditshme të shoqërisë sonë. Kosova tashmë ka marrë udhëzuesin për liberalizimin vizave nga ana e Bashkimit Evropian. Institucionet e Kosovës janë më se të angazhuara që të kryejnë me kohë obligimet që dalin nga ky udhëzues, që sa më parë edhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian, si të gjithë qytetarët tjerë të rajonit .

Kuvendi i Kosovës në kuadër të obligimeve të tij ligjvënëse, aktualisht është angazhuar në avancimin e reformës kushtetuese dhe asaj zgjedhore, si parakushte për krijimin e një shteti modern të demokracisë parlamentare.

Z. President, Shqipëria ka qenë historikisht edhe në momentet më të vështira, mbështetëse e Kosovës, e veçanërisht gjatë përpjekjeve dhe luftës së saj të gjatë për liri dhe pavarësi. Sot, Shqipëria, anëtare e Aleancës Veri-Atlantike, e cila po përçon mesazhe sigurie në rajon, angazhohet seriozisht në përpjekjet e vendeve të tjera të rajonit për t'iu bashkëngjitur kësaj Aleance dhe ndihmon në zhvillimin e urave të komunikimit. Nisur nga ky fakt, shfrytëzoj rastin që të kërkoj nga Ju, z. President, dhe mbarë institucionet më të larta të Shqipërisë, që të angazhoheni edhe më tej fuqimisht në mbështetjen e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësimin e saj në këtë Aleancë, e cila kontribuoi në mbrojtjen e njerëzimit në Kosove dhe mundësoi fillimin e rrugëtimit te Kosoves drejt lirisë dhe pavarësisë së saj.

Zoti President, trojet shqiptare dhe shqiptarët kudo që janë, këtë vit do të festojnë 100-vjetorin e lindjes së shtetit të pavarur shqiptar. Akti juaj i disa ditëve më parë për dekorimin e të gjithë atdhetarëve të aktit sublim dhe heroik të pavarësisë, unifikon simbolikisht edhe njëherë aspiratat tona të përbashkëta historike, që kërkojnë zgjidhje në një rrafsh te ri vlerash, në një rrafsh dinamik e sfidues evropian.

Gjatë këtyre viteve, si President i Republikës së Shqipërisë, Ju keni kontribuar përmes institucionit të presidentit si faktor i unifikimit kombëtar, i ruajtjes së balancave politike, forcimit të institucioneve të pavarura, forcimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona , lobimit për njohjen e shtetit të Kosovës, dhënien e mesazheve për paqe, bashkëpunim dhe zhvillim në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.

Zoti President, në pak ditë Ju do të përfundoni mandatin e presidentit, detyrë të cilën Ju e kryet me dinjitet dhe ne besojmë fuqimisht se në karrierën tuaj politike në ditët e vitet që do të vinë, Ju do vazhdoni të mbeteni një faktor i dialogut dhe bashkëpunimit, urtisë dhe largpamësisë në skenën politike mbarë shqiptare.
Zoti President Topi, në emër të Kuvendit të Kosoves, Ju ftoj t'i drejtoheni me fjalën tuaj deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qytetareve të saj.

Zoti President fjala është për Ju