Lajmet e fundit

Mbledhja plenare e Kuvendit

E Enjte, 28.06.2012




Në mbledhjen plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr, Jakup Krasniqi, (një pjesë u udhëhoq nga nënkryetari Xhavit Haliti), pas shterimit të pikave të përhershme: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, fillimisht deputetët u njoftuan nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi lidhur me incidentin e sotëm në Merdare (pas kërkesës së paraqitur nga shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci).

Me këtë rast, ministri Rexhepi theksoi se incidenti në Merdare ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit, me ç‘rast tifozë të klubit të futbollit "Cërvena Zvezda", shumica nga ta dehur, janë nisur me dy autobusë në drejtim të Gazimestanit për shkak të festës serbe të "Vidovdanit". Ai sqaroi tutje se në orën 06:35 ky grup pasi është ndaluar në Vushtrri nga Policia e Kosovës ka filluar të fyejë dhe të provokojë pjesëtarët e policisë. Mirëpo , në momentet e kontrollimit të tyre policia nuk ka gjetur armatim. Meqë është prishur rendi publik, policia ka marrë vendim për largimin e tyre nga territori i Kosovës përmes pikë-kalimit në Merdare, njoftoi ministri Rexhepi, duke sqaruar më tej se grupi i revoltuar më pas ka filluar të gjuajë policët kufitarë në Kosovë me gurë dhe me mjete të forta. Mirëpo, sipas tij të shtënat me armë nga ky grup janë dëgjuar në pjesën e Serbisë pas largimit të tyre nga kufiri i Kosovës.

Ai mohoi të ketë pasur policë të plagosur me armë zjarri, duke sqaruar se 32 pjesëtarë të policisë së Kosovë janë lënduar lehtë, të cilët janë trajtuar në Podujevë dhe në QKUK.


Duke pohuar se të gjitha lëndimet e këtyre pjesëtarëve policor janë të natyrës së lehtë, theksoi se për shkak të këtyre incidenteve është mbyllur kufiri dhe se situata është nën kontroll. Rexhepi mes tjerash shtoi se nuk do të lejohet hyrja e asnjë grupi të tillë në vend, përveç atyre që dëshirojnë të bëjnë pelegrinazhe në mënyrë të kulturuar.


Ministri Rexhepi më tej tha se hetimet lidhur me incidentin kanë filluar nga ana e policisë, ndërsa duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve tha se grupet të cilat kanë shkaktuar probleme nuk do të lejohen të hyjnë në kufi dhe se Policia e Kosovës është e gatshme të intervenojë në rast te prishjes së rendit publik.
Ndërsa, për gjendjen e policëve të lënduar, foli edhe ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani. Ai informoi deputetët se deri më tani në QKUK janë trajtuar 9 persona të lënduar me mjete të forta.

Për plotësimin e rendit të ditës në këtë mbledhje u paraqitën edhe dy kërkesa. Kërkesa e Komisionit për Buxhet dhe Financa, për shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2012, mori mbështetjen e deputetëve për shqyrtim. Ndërsa, kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit lidhur me procedimin e Projektligjit për shfuqizimin tri neneve (37, 38, 39) nga Kodi Penal i Kosovës, nuk mori mbështetjen e deputetëve për shqyrtim në mbledhjes e sotme.


Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se shfuqizimi i këtyre tri neneve nënkupton drejtpërdrejtë dhe reflekton në të mirën e Kosovës, qytetarëve, shoqërisë civile, spektrit politik dhe të mediave. Duke kërkuar mbështetjen e deputetëve për miratimin e kësaj kërkesë, ai tha se kjo është njëra nga obligimet që ka Kosova në kuadër të zbatimit të kritereve evropiane. Disa nga deputetët deklaruan se kjo çështje nuk është urgjente duke kërkuar që shqyrtimi i kësaj kërkesë të shtyhet për mbledhjen tjetër të radhës në mënyrë që të mos shkelen procedurat.

Në vazhdim të mbledhjes deputetët me shumicë votash miratuan Raportin e Punës të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, për vitin 2011, ndërsa në lexim të parë shqyrtuan dhe përkrahën n parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për letërnjoftim.


Ministri i MPB-së, Bajram Rexhepi, gjatë prezantimit dhe arsyetimit të këtij projektligji theksoi se me këtë projektligj rregullohen procedurat e lëshimit të letërnjoftimit biometrik. Duke sqaruar se projektligji ka gjithsej 12 nene, ai shtoi se ky projektligj i është përshtatur rrethanave të reja të krijuara në Republikën e Kosovës. Pasi foli për rëndësinë e ligjit, ministri Rexhepi kërkoi nga Kryesia e Kuvendit dhe komisionet parlamentare që t'i përshpejtojnë procedurat në mënyrë që ligji të kalojë sa më shpejt në leximin e dytë, duke përmendur mes tjerash se ligji në fjalë është njëri ndër kushtet për liberalizmin e vizave.

Deputetët po ashtu shqyrtuan dhe përkrahën në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për metrologji, pas prezantimit të ligjit nga Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila. Ndërsa, në lexim të parë u shqyrtua dhe u përkrah po ashtu edhe Projektligji për shëndetësi. Me këtë rast, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, gjatë prezantimit të projektligjit tha se janë gjithsej 96 nene duke sqaruar më tej se përmes këtij projektligji përcaktohet kujdesi shëndetësor i organizuar në nivelin parësor, dytësor, tretësor dhe parandalon konfliktin e interesit gjatë ushtrimit të veprimtarisë shëndetësore. Më tej ai shtoi se përcaktohen edhe llojet e institucioneve shëndetësore, udhëheqja dhe mbikëqyrja e institucioneve shëndetësore, politikat zhvillimore dhe financimi i kujdesit shëndetësor, shërbimi shëndetësor i Kosovës në nivelin dytësor dhe tretësor i kujdesit shëndetësor, sistemi i informimit shëndetësor, veprimtaritë private shëndetësore, themelimi i odave të profesionistëve shëndetësore, etj. Duke kërkuar mbështetjen e deputetëve, ministri Agani tha se kjo është rruga e vetme ligjore për fillimin e ndryshimit të gjendjes në shëndetësinë kosovare.


Deputetët gjatë diskutimit të tyre shfaqen shqetësimin e tyre për shërbimin shëndetësor në Kosovë, duke dhënë opinione të ndryshme rreth projektligjit, i cili nuk kaloi pa kritika të shumta. U theksua po ashtu se qëllimi i projektligjit duhet të jetë rritja e kualitetit të shërbimeve shëndetësore.

Më pas deputetët shqyrtuan dhe përkrahën në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2012. Ministri i Financave, Bedri Hamza, gjatë prezantimit të projektligjit foli për ndryshimet që pritet t'i ketë buxheti i shtetit në pjesën e dytë të këtij viti, kundruall planifikimeve fillestare. Hamza sqaroi se ky rishikim është diskutuar hollësisht me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ishte i pranishëm në Kosovë.

U përkrah propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve në Bordin e Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave. Anëtarë të këtij bordi janë: Artan Qerkini, Refik Rama, Qemajl Smajli dhe Dragan Gjorgoviq). Krejtësisht në fund të mbledhjes u formua edhe Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit Mbledhja plenare e Kuvendit