Lajmet e fundit

Nga punimet e tryezës ndërkombëtare me temën “Digjitalizimi Tokësor Televiziv, Praktikat Evropiane dhe Rajonale”

E Enjte, 28.06.2012




Në konferencën ndërkombëtare të organizuar sot nga Këshilli i Pavarur i Mediave, me temën: "Digjitalizimi Tokësor Televiziv, Praktikat Evropiane dhe Rajonale", mori pjesë edhe kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi. Në hapje të punimeve të kësaj konference, e cila u mbajt në hotelin "EMERALD", kryeparlamentari Krasniqi u shpreh:

" E nderuara shefe Ekzekutive e KPM-ës,
Të nderuar mysafirë,
Përfaqësues të rregullatorit të BE-së dhe rajonit,
Zonja dhe zotërinj,

Jam i nderuar që gjendem mes jush, si pjesë e një debati me shtrirje të gjerë gjeografike që bart në vete detyrime të rëndësishme profesionale. Debati për digjitalizimin po na përcjellë një kohë të gjatë, që tregon kompleksitetin e tij. Kjo stërzgjatje po nxjerr në pah diskrepancën e progresit dhe zhvillimit mes rajonit tonë dhe pjesës tjetër të Evropës. Diferenca është e dukshme dhe nevoja për përshpejtim është urgjente.

Zonja dhe zotërinj,

Në diskutimet që do të zhvilloni gjatë konferencës, do të dëgjoni se Komisioni i Pavarur i Mediave ka vepruar në vazhdimësi për të qenë në hap me vendet tjera në procesin e digjitalizimit. Komisioni i Pavarur i Mediave ka koordinuar veprimin me institucionet e Kosovës dhe me institucionet homologe në rajon. Ka krijuar mekanizmat e nevojshëm për veprim duke përfshirë potencialin e brendshëm dhe të jashtëm. Por, në takimet e mia me drejtuesit e KPM-së, unë dëgjoj se ata dhe Kosova përballet edhe me probleme specifike. Janë këto përballje me sfida që vendet tjera nuk i kanë. Mospranimi i Kosovës në ITU e vendos Kosovën në pozitë të pabarabartë me të tjerët. I bën sfidat e Kosovës ndryshe nga ato të vendeve tjera. E zgjeron listën e pamundësive subjektive për Komisionin e Pavarur të Mediave në procesin e digjitalizimit dhe veprimtaritë tjera.

Në botën që jetojmë është vlerë të kemi mospajtime në bindjet që kemi. Por është goditje e të ardhmes së shoqërive kur për çështje burokratike a politike përjashtohen shoqëritë nga proceset që detyrimisht duhet të përfshihen.

Është e papranueshme që të merren në shqyrtim planet dhe strategjitë për rregullim të një pjese të hapësirë së Kosovës nga shtet fqinje, e të përjashtohet plani dhe strategjia e institucionit kompetent për këtë hapësirë, ajo e Komisionit të Pavarur të Mediave të Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar mund të jetë i lodhur nga të parit Kosovën ndryshe, por Kosova është në fillimin e rrugës së saj të konsolidimit të shtetit, pavarësisë dhe sovranitetit dhe e vetëdijshme për sfidat që e presin nuk mund të zgjedhë pritjen, as të mendojë për lodhjen, por, për zgjidhje maksimale që e vendosin atë krahas vendeve të tjera në barazinë e ekzistencës, përfitimit dhe kontributit ne botën tonë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Pavarësisht gjendjes dhe rrethanave është një moment që duhet shfrytëzuar maksimalisht. Jam i sigurt se në kohë të duhur do të ndërmerren veprime të duhura nga mekanizmat përgjegjës ndërkombëtarë që Kosova të mos shihet ndryshe nga të tjerët në procesin e digjitalizimit. Ajo që na mbetet neve është kryerja me sukses dhe në afat e detyrimeve tona. Këto veprime nënkuptojnë përgatitje me kohë të industrisë që implikon kalimi nga brezi frekuencor analog në atë digjital. Është kjo një gamë e gjerë e veprimeve që ju si profesionistë i shihni si pjesë të gjithë këtij mozaiku, përfshirë standardizimin, licencimin, bashkëpunimin, shpërndarjen, konsumimin, etj. Prania juaj këtu është një sinjal inkurajimi për angazhim të përbashkët në një kapërcim të suksesshëm nga plani i vjetër frekuencor në atë të ri. Është e qartë për të gjithë se suksesi i kësaj veprimtarie është investim në standardin e qytetarëve tanë, audiencës suaj. Sot të gjithë jemi gjithnjë e më shumë shfrytëzues të këtyre zbulimeve dhe avancimeve teknologjike, pavarësisht sa i njohim apo sa kemi interesim për to.

E kuptoj se në këtë kohë të zhvillimit enorm teknologjik, për shumë drejtues të botës së medias dhe rregullatorëve për media paraqiten sfida të shumta. Paraqiten situata dhe gjendje që kërkojnë përgjigje dhe veprime inovative për të parandaluar shfrytëzimin e teknologjisë dhe medias për projeksione negative dhe të dëmshme për shoqëritë. Kjo e bën më të rëndësishëm rregullimin e përgjegjshëm dhe të shpejtë të politikave dhe standardeve të pranueshme për mediat edhe në kohën e digjitalizimit, por pa i cenuar vlerat e demokracisë në planin e lirisë së shprehjes dhe të fjalës. Aq më tepër kur merret parasysh fakti se avancimi teknologjik, përveç transformimeve në kuptimin teknik, ka transformuar edhe rolin e qytetarëve në debatet dhe shkëmbimin e informatave.

Kosova synon të jetë pjesë e këtyre standardeve teknologjike dhe njëkohësisht pjesë e standardeve të avancuara të interaktivitetit, pjesëmarrjes qytetare, zhvillimit dhe lirisë së medies.


Pres me padurim të dëgjoj për dobitë e kësaj konference, sukseset e procesit të digjitalizimit dhe koordinimit tuaj më të madh në përballimin e sfidave të përbashkëta që na paraqiten në fillim të këtij mileniumi".

 

Nga punimet e tryezës ndërkombëtare  me temën “Digjitalizimi Tokësor Televiziv, Praktikat Evropiane dhe Rajonale”