Lajmet e fundit
GGD-ja mbajti një tryezë në Kamenicë
E Enjte, 28.06.2012
Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës mbajti sot një tryezë në Komunën e Kamenicës, në vazhdën e takimeve që kanë të bëjnë me përmirësimin e pozitës së gruas në partitë politike, në politikë dhe shoqërinë kosovare në përgjithësi.
Në takim mori pjesë edhe kryetari i komunës, z. Shaip Surdulli, i cili përgëzoi gratë për punën e mirë që po e bëjnë, duke theksuar se në Kamenicë punohet më përkushtim që gruas t' i jepet vendi i merituar dhe të inkurajohet ajo që të angazhohet më shumë edhe në pozita të larta në komunë. Ai në vijim tha se në këtë komunë është ndarë një buxhet prej 5000 euro për Grupin e Grave dhe 5000 euro për Zyren për Barazi Gjinore.
Kryetarja e GGD-ës, znj Teuta Sahatqija tha se grupi i deputeteve është grup gjithëpërfshirës nga të gjitha partitë dhe nacionalitetet, i cili në parlament, pos që bën ligje për demokratizimin e vendit, duke krijuar shanse të barabarta për secilin, po ashtu zhvillon aktivitete të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e gruas, fëmijës dhe qytetarëve në përgjithësi.
Pastaj znj Sahatqija foli edhe për projektin e Mamografit - mobil i cili do të jetë edhe në shërbim të grave në Kamenicë. Ajo u angazhua edhe për krijimin e fondeve strukturale për gratë, të cilat do të ndihmonin fillimin dhe zhvillimin e afarizmit të grave.
Donika Kadaj-Bujupi duke folur për rëndësinë e ligjeve tha se Kosova ka disa ligje shumë të mira, por duhet të bëhet më shumë për zbatimin e plotë të tyre sidomos në përfaqësin më të madh të grave në ekzekutiv.
Kryetarja e Grupit të Grave nga Kamenica, znj. Shqipe Berisha - Maliqi foli për pozitën e gruas në Kamenicë dhe vendosmërinë e institucioneve të këtushme për ta përmirësuar pozitën e saj. Në diskutim morën pjesë gratë nga Assambleja, OJQ-ët, zyrtare të partive politike etj.