Lajmet e fundit
Nga tryeza e punës së Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Mërkure, 27.06.2012
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, në bashkëpunim me NDI-në, organizoi sot tryezë pune me temën: Funksionimi i Ndërmarrjeve Publike - Ndikimi i legjislacionit. Tryeza u mbajt në hotelin" SIRIUS", ndërkaq, përpos anëtarëve të komisionit në të merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përkatësisht, zv. ministri, Gani Koci, ata të INDEP-it, USAID-it, KDI-së, Asociacioni të Komunave të Kosovës dhe KOST-it. Duke folur për qëllimin e kësaj tryeze, kryetari i komisionit, Zenun Pajaziti, vuri në dukje se funksionimi sa më i mirë i ndërmarrjeve publike ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa, përpjekjet për zbatimin e Ligjit nga ana e tyre, duhet të jenë të vazhdueshme. Ai në vijim tha se për zbatimin e Ligjit për ndërmarrjet publike bëhet fjalë edhe në Raportin e Progresit të KE-së për Kosovën, dhe përkujtoi gjithashtu se edhe në këtë Raport apelohet për zbatimin e plotë të Ligjit. Shpresoj, tha në vijim ai, se edhe nga kjo tryezë do të dalin rekomandime përkatëse për zbatimin e Ligjit, duke siguruar gjithashtu informata të plota rreth tij, përkatësisht të metat eventuale që mund të ketë.
Në vijim fjalën e mori zv. ministri, Gani Koci, i cili në mënyrë kronologjike foli për mënyrën e funksionimit të ndërmarrjeve publike gjatë periudhës së administrimit të tyre nga ana e UNMIK-ut dhe ish AKM-ja. Duke iu referuar periudhës 2004- 2006, Koci tha se gjatë kësaj kohe është realizuar korporatizimi i ndërmarrjeve publike, duke i shëndrruar ato në shoqëri aksionare. Për rregullimin e tyre në aspektin juridik, zv. ministri tha:" Me shpalljen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe miratimit të Ligjit për ndërmarrjet publik në qershor të vitit 2008, statusi i administrimit të ndërmarrjeve publike ka ndryshuar plotësisht". Duke folur për objektivat qeveritare lidhur me përmirësimin e vazhdueshëm të performancës së ndërmarrjeve publike, zv. ministri Koci numëroi: respektimin e standardeve të qeverisjes së mirë të korporatave, krijimin e disiplinave financiare duke u siguruar që ndërmarrjet publike kanë kapital të mjaftueshëm për të realizuar investime kapitale nga buxheti vetanak, sigurimin e planeve për investime kapitale në përputhje me nevojat afariste të ndërmarrjeve publike si dhe inkorporimin e kapitalit e sektorit privat në ndërmarrje publike. Në paraqitjen e tij, zv. ministri Koci u ndal edhe tek performanca pozitive e ndërmarrjeve publike, e cila sipas tij buron nga infrastruktura përkatëse ligjore. " Performanca afariste dhe financiare e ndërmarrjeve publike, mbështetur në raportet e auditorëve të jashtëm, të hartuara nga viti 2007, të gjitha ndërmarrjet publike qendrore kishin një rezultat përmbledhës prej 8.5 milion euro fitim vjetor, ndërsa në fund të vitit 2011, ato kanë realizuar rezultat financiarë në fitim prej 56 milon euro", tha zv. ministri Koci.
Përfaqësuesi i Asociaciont të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahim, pasi paraqiti sfidat e së kaluarës me të cilat janë përballur komunat në menaxhimin e ndërmarrjeve publike, vlerësoi se Ligji i miratuar në vitin 2008 ka krijuar rrethana dhe lehtësira për nivelet e qeverisjes lokale. Sipas tij, mundësia që ju ofron Ligji, ku në bordet menaxhuese të ndërmarrjeve publike komunat përfaqësohen në kuotën prej 50% të pjesëmarrjes, paraqet avancim në menaxhimin e resurseve komunale. Për Ligjin e ndërmarrjeve publike, përfaqësuesi i Asociaciont të Komunave të Kosovës, tha se është në harmoni edhe me Ligjin për Vetëqeverisjen lokale.
Lidhur me menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe ndikimin e legjislacionit folën dhe përfaqësuesi i KDI-së, Isuf Zeka, i cili shfaqi mendimin se Kuvendit të Kosovës duhet t'i sigurohet mundësia më e madhe e mbikëqyrjes së ndërmarrjeve publike, duke e konsideruar si të pa mjaftueshme raportin vjetor që ato aktualisht e paraqesin. Përfaqësuesi i INDEP-it, Burim Ejupi, ndërkaq, pati vërejtje në përbërjen e bordeve të ndërmarrjeve publike. Sipas tij, bordet e këtyre ndërmarrjeve në rastet më të shpeshta nuk angazhojnë ekspertë të fushave përkatëse, por, tha ai, ato dominohet nga aktivistë partiak. Kjo praktik, sipas Ejupit është që nga themelimi i bordeve. Në vijim foli edhe përfaqësuesi i KOST-it, i cili pasi shpalosi të arriturat e kësaj ndërmarrjeje, iu referua anës ligjore, për të cilën tha se përmbush të gjitha nevojat e funksionimit pozitiv të ndërmarrjeve publike. Ai, po ashtu tha se Ligji mbi ndërmarrjet publike është i bazuar në praktikat më të mira të BE-së.
Në përmbyllje të debatit, kryetari i komisionit kërko nga të pranishmit që të dërgojnë me shkrim rekomandimet dhe vërejtjet eventuale lidhur me zbatimin e Ligjit.