Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi mori pjesë në konferencën mbi marrëdhëniet ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit
E Mërkure, 27.06.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, mori sot pjesë në konferencën mbi marrëdhëniet ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit, të organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila u mbajt në "Swiss Diamond Hotel", në Prishtinë.
Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi gjatë fjalës së tij tha se tematikat e përzgjedhura të kësaj konference janë sa komplekse e me një dimension të gjerë, po aq edhe të një rëndësie të veçantë, për faktin se vendi dhe institucionet e Kosovës ende janë në rrugën e konsolidimit të vazhdueshëm demokratik dhe të forcimit të kapaciteteve të tyre, në këtë kontekst edhe të ngritjes së shkallës së përgjegjësisë, efikasitetit dhe fuqizimit institucional.
Krasniqi vlerësoi se marrëdhëniet Kuvend - Qeveri dhe përgjegjësitë e këtyre dy institucioneve janë të përkufizuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit, duke shtuar se Kushtetuta i jep rol të veçantë Kuvendit si pushtet ligjvënës dhe si ushtrues i sovranitetit të popullit.
"Funksioni ligjvënës ushtrohet nëpërmjet shqyrtimit dhe miratimit të ligjeve. Ushtrimi i këtij funksioni bazohet në programin e punës së Kuvendit, bazuar në agjendën legjislative të Qeverisë dhe planet e punës të komisioneve parlamentare.
Implementimi i këtij programi kërkon bashkëpunim dhe bashkërenditje të përditshme të aktiviteteve të Kuvendit si organ ligjvënës dhe të Qeverisë si propozuese e projektligjeve", theksoi Krasniqi.
Më tej ai shtoi se gjatë kësaj legjislature, përfshirë periudhën mars 2011 -maj 2012, Kuvendi ka pasur një agjendë të ngjeshur legjislative, duke theksuar faktin se numri i ligjeve të miratuara është mbi 100 ( 104 ) ligje, ndërsa në procedurë të komisioneve parlamentare janë mbi 20 projektligje. "Kuvendi po ashtu ushtron edhe të drejtën e mbikëqyrjes parlamentare ndaj Qeverisë dhe organeve të themeluara me ligj. Format e ushtrimit të mbikëqyrjes parlamentare ndaj ekzekutivit janë institucionale dhe të përcaktuara me Kushtetutë, Rregullore të Kuvendit dhe me ligje për krijimin dhe funksionimin e organeve Kushtetuese. Kuvendi i Kosovës mbikëqyrjen parlamentare ndaj ekzekutivit e ushtron përmes pyetjeve parlamentare, interpelancave, debateve parlamentare dhe mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit", tha kreu i Kuvendit duke sqaruar më tej se gjatë legjislaturës së katërt janë ushtruar 214 pyetje parlamentare, pesë (5) interpelanca me Kryeministrin dhe ministrat, 10 debate parlamentare nga fusha e përgjegjësive të Qeverisë dhe ka shqyrtuar 14 raporte të mbikëqyrjes të zbatimit të ligjeve.
"Kuvendi i Republikës së Kosovës me këto forma të ushtrimit të mbikëqyrjes ndikon në marrjen e informacioneve dhe shpjegimeve për probleme të caktuara lidhur me qëndrimet dhe veprimet e organeve ekzekutive. Këto forma të mbikëqyrjes fokusohen natyrshëm në kërkimin e të dhënave dhe qartësimin e opinionit publik për një situatë apo fakt të caktuar", tha mes tjerash Krasniqi duke shtuar se ky debat do të sjell një ndihmesë me vlerë në ndërmarrjen e iniciativave dhe masave konkrete për organet përgjegjëse të institucionet shtetërore sipas kompetencave që kanë për përmirësimin e mëtejshëm e të vazhdueshëm në ngritjen e cilësisë së punës dhe marrëdhënieve me qëllim të ndërtimit dhe fuqizimit të institucioneve të qëndrueshme dhe demokratike.
Në këtë takim folën edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, shefi i Misionit të OSBE-së, në Kosovë, z. Werner Almhofer, ish-kryetari i Parlamentit të Sllovenisë, sociologu, z. Pavel Gantar. Pjesëmarrës në këtë panel ishin edhe ministra të kabinetit qeveritar, nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti e Sabri Hamiti, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, si dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.