Lajmet e fundit
Grupi i Grave Deputete mori pjesë në themelimin e Grupit të asambleisteve të Mitrovicës
E Mërkure, 27.06.2012
Grupi i Grave Deputete në bashkëpunim me USAID-DEMI, morën pjesë në formimin e Grupit të Grave Asambleiste të Komunës së Mitrovicës. I pari i komunës, kryetari Avni Kastrati, pasi përshëndeti deputetet dhe përgëzoi këshilltaret e komunës për inicimin e formimit të Grupit të Grave në Mitrovicë, me këtë rast tha "Mitrovica ka nevojë për kontributin e gruas, në radhë të parë për të luajtur rol aktiv në sektorët e ndryshëm ekonomik, mirëqenie, arsim etj. Jam shumë i lumtur që edhe Mitrovica funksionalizoi GGA-në".
Kryetarja e GGD-së, znj. Teuta Sahatqija, tha se vetëm në këtë gjysmë viti GGD-ja ka pasur takime në 18 komuna. Një prej qëllimeve më të rëndësishme të GGD-ës, tha ajo, është pikërisht rritja e rolit të gruas në bazë: komuna dhe në lokalitete tjera. Ajo duke shpjeguar objektivat e GGD-ës dhe angazhimin për realizimin e tyre , ftoi GGA-në e Mitrovicës që të jenë pjesë e angazhimeve për fuqizimin e gruas. Ajo tha se aktualisht janë katër projekte kryesore, ndaj kërkohen angazhime në këta lëmenj:
Rritja e rolit të gruas në komuna dhe fuqizimi i tyre në partitë politike;
Projekti për blerjen e mamografit mobil;
Qasja e gruas në drejtësi dhe
Fuqizimi ekonomik i gruas.
Deputetja Flora Brovina tha se kontributi i gruas nuk ka munguar as në kohërat më të vështira, si gjatë okupimit, ashtu edhe gjatë luftës dhe pastaj në ndërtimin e paqes. "Më vjen keq që puna dhe kontributi i gruas nuk janë njohur dhe vlerësuar ende sa duhet . Ajo është ende e margjinalizuar e pa përfshirë, ndërsa kemi shkallë shumë të lartë të papunësisë së gruas. Por, jam e lumtur se ne kemi përparim sa i përket potencialit të gruas i cili vlerësohet. Para pak ditësh në SHBA duke çmuar rolin e gruas, gratë e Kosovës u vlerësuan si lidere në Ballkan sa i përket avancimit të pozitës sw saj", theksoi znj. Brovina.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Mitrovica znj. Vjosa Osmani tha se edhe vendet nordike fillimisht e kanë aplikuar kuotën për të përfshirjen gruas. "Ne duhet tw aplikojmë instrumente dhe të bëjmë politika që sigurojnë përfshirjen e gruas. Forcimi i rolit të gruas duhet të jetë kauzë mbipartiake", theksoi ajo.
Kryetarja e GGA të Mitrovicës, znj.Afërdita Vatovci, duke falënderuar deputetet për angazhimin e tyre për të rritur rolin e gruas në komuna u shpreh:" GGA e Mitrovicë ka programin e vet i cili ka për qëllim përkrahjen e gruas në arsimim , në mirëqenie, shëndet, punësim, ekonomi ej. Me diskutime kontribuan edhe znj. Glinka Kapitanova nga USAID-DEMI, këshilltarja e ministrit të MASHT-it, znj Drita Kadriu, dhe Kryetarja e GGA-së të Vushtrrisë znj Gjylsime Feka.