Lajmet e fundit

Konferencë dyditore e Grupit të Grave Deputete në bashkëpunim me OSBE-në

E Premte, 22.06.2012




Grupi i Grave Deputete në bashkëpunim me OSBE-në ka filluar sot konferencën dyditore me temë: Fuqizim i gruas në vendimmarrje. Nikoqirja e konferencës, kryetarja e GGD-ës, znj. Teuta Sahatqija, tha se tema që po trajtohet është me shumë interes, sepse sa më shumë përfshirje të grave që të ketë aq më shumë do të ketë demokraci në vend. Duke folur për kontributin e grave në fushën legjislacionit ajo tha se gratë hartuan Ligjin për barazi gjinore , ato ndikuan në krijimin e mekanizmave gjinor, pra këto krijuan mundësinë për fuqizimin më të madh të gruas. "Këto punë po i vazhdojmë edhe ne sot, ndaj kemi : strategjinë e veprimit, planin e punës dhe kemi shumë partner dhe personalitete që besojnë në punën tonë, prandaj edhe na përkrahin në aktivitetet tona. Ne jemi 40 deputete, në shkallën 33,33%, por nuk jemi të kënaqura me përfshirjen në organet udhëheqës të Kuvendit dhe institucioneve tjera, p.sh. Kryesia e Kuvendit nuk ka asnjë grua, nga 13 komisione vetëm 2 udhëhiqen nga gratë, dhe vetëm dy janë shefe të grupeve parlamentare. Prandaj, ne duhet bëjmë akoma më shumë për gruan, sidomos në nivel lokal dhe zona rurale".
Z. Jared Hayes nga OSBE-ja tha:"Fuqizimi i Gruas në vendimmarrje është përcaktim i OSBE-së, prandaj edhe ne kemi një bashkëpunim shumë të madh me GGD-ën, shembull është kjo konferencë dhe shumë aktivitete tjera. Para pak ditësh nënshkruam Memorandumin për blerjen e Mamografit Mobil". Shefja e Agjencionit për Barazinë Gjinore, Edona Hajrullahu tha se bashkëpunimi i ABGJ me GGD-ën është më se i domosdoshëm, sidomos tani që së shpejti do të jetë në Kuvend Projektligji për Barazinë Gjinore.
Znj. Sonja LLokar u shpreh se është shumë e impresionuar me kualitetin dhe të arriturat e grave në Kosovë. Duke folur për rëndësinë e politikave adekuate tha se kur të bëhen ligje e politika duhet pasur kujdes që ato të jenë të qëndrueshme dhe të sjellin efekte . "Mos bëni ligje dhe mekanizma që nuk mund t' i mbani, mendoni mirë kur t' i krijoni", theksoi Znj. LLokar .
Konferenca po vazhdon punimet në tri grupe, ku po trajtohen tema specifike, si : Fuqizimi i gruas në vendimmarrje përmes partive politike, aspekti gjinor në hartimin e buxhetit dhe funksionimi i grupeve të grave në nivel lokal.
Në këtë konferencë po marrin pjesë edhe grupet e grave asambleiste,forumet e grave të partive politike, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e vendore, përfaqësuese nga shoqëria civile, zyrtare për barazinë gjinore etj.

 

Konferencë dyditore e Grupit të  Grave Deputete në bashkëpunim me OSBE-në