Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Premte, 22.06.2012
Në seancën e sotme të rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti dhe Sabri Hamiti, deputetët kan ngritur çështje të shumta që i brengosin qytetarët e Kosovës dhe kanë shtruar pyetje të shumta , të cilave u janë përgjigjur zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministrat e resorëve : Besim Beqaj, Bajram Rexhepi, Nenad Rashiq dhe Bedri Hamza, dukje replikuar herë-herë lidhur me çështjet e ngritura nga deputetët.
Siç edhe mund të pritej, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ka ngjallur debatin më të nxehtë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Duke e prezantuar projektligjin zv.kryeministri Kuçi ka theksuar se ky projektligj burimin e ka tek Plani gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës i presidentit Ahtisari. Ai ka përkujtuar deputetët se Kuvendi i Kosovës më 31 janar të këtij viti ka nxjerrë Rezolutën për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës nga ndërkombëtarët. Kjo do t'i mundësojë Kosovës që të përparojë institucionet vendore me kompetenca të plota shtetërore,ka thënë Kuçi. "Duke mirëpritur qëndrimet e Grupit Punues Ndërkombëtar për Kosovën për të përfunduar përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë gjatë vitit 2012, si dhe duke qenë të përkushtuar që të përmbushim gjitha obligimevt që i kontribuojnë përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, e duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Qeveria e Kosovës e ka hartuar këtë Projektligj për ndryshimin e 21 ligjeve në fuqi", ka thënë Kuçi, duke i përmendur një nga një ato, e duke pohuar se të gjitha ato kanë pasur mbikëqyrje ndërkombëtare. Kompetencat për këto ligje do të kalojnë tek institucionet e Kosovës, ka sqaruar ai, duke pohuar se Projektligji është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe me standardet e BE-së, dhe se për Projektligjin është marrë pajtueshmëri edhe me aktorët ndërkombëtarë në vendin tonë. Duke sqaruar se Projektligji do të hyjë në fuqi nga mesi i muajit shtator, ka kërkuar nga deputetët që ta miratojnë atë.
Sqarimet lidhur me këtë Projektligj i ka dhënë edhe kryetari i Komisionit ad-hoc për ndryshimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, i cili është bazuar edhe në rezolutën e Kuvendit për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Shumica e përfaqësuesve të grupeve parlamentare që e kanë marrë fjalën (Behar Selim (PDK), Vjosa Osman (LDK), Burim Ramadani (AAK), Sasha Millosavljeviq (SLS), Myzejense Selamni (KKR), etj. e kanë mbështetur këtë Projektligj duke theksuar rëndësinë që ka përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë. Kryetari i Grupit Parlamentar VV, Visar Ymeri, ndërkaq, ka qenë kritik për gjithë vendosjen e mbikëqyrjes së pavarësisë, duke pohuar se as me këtë Projektligj nuk po hiqet mbikëqyrja e pavarësisë, por se vetëm po modifikohet ajo. Nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, ka pohuar se substanca e Projektligjit nuk përputhet me atë që proklamon, duke vërtetuar atë edhe me faktin që Kuvendi pas pak ditësh do të duhet t'ia vazhdojë mandatin EULEX-it. Disa deputetë të tjerë, ndërkaq, janë shprehur se me bartjen e kompetencave nga përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur, vesh me kompetenca, në kundërshtim me Kushtetutën, ndonjërin nga drejtuesit shtetëror të Kosovës. Në përfundim të debatit deputetët me shumicë votash kanë miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
Në vazhdim të seancës deputetët kanë miratuar Projektkodin e procedurës penale, të cilin e ka prezantuar gjithashtu zv.kryeministri Kuçi. Ai ka pohuar se Projektkodi përmbush standardet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe se ai është hartuar nga ekspertët më të mirë vendës dhe ndërkombëtarë të lëmit të drejtësisë.
Edhe Vendimi i Presidentes për kthimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës për rishqyrtim, ka zgjuar interesimin e deputetëve për të shprehur qëndrimet e tyre rreth neneve kontestuese. Qëndrimin e Komisioni për Legjislacion, në cilësi të komisionit funksional, e ka paraqitur deputeti Arben Gashi. Komisioni për Legjislacion ka vendosur që Kuvendit t'i paraqet amendament për heqjen e neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal dhe rrjedhimisht, si pasojë e heqjes së këtyre dy neneve, hiqet edhe neni 39, sepse ju referohet këtyre dy neneve, thotë Komisioni për Legjislacion.
Shumica e përfaqësuesve të grupeve parlamentare që e kanë marrë fjalën janë pajtuar me rekomandimin e Komisionit funksional, pos deputetit Berat Buzhala, i cili në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ka kërkuar që nenet të mos hiqen por të riformulohen. Në përfundim të debatit, Rekomandimi i Komisionit për Legjislacion për heqjen e neneve 37. 38 dhe 39 të Kodit Penal të Kosovës , nuk ka marrë votat e nevojshme të deputetëve (nevojiteshin 61vota):
Në seancën e sotme është shqyrtuar edhe raporti i Punës së Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, për vitin 2011, por për mungesë kuorumit ai ka mbetur të votohet në seancën e ardhshme.