Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së

E Enjte, 21.06.2012




Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, shqyrtoi sot raportin e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, rreth mungesës së arit nga dhoma e dëshmive në Drejtorinë Rajonale Policore në Pejë.
Me këtë rast, kryetari i komisionit parlamentar për siguri, Ahmet Isufi, bazuar në këtë raport, tha se është theksuar se janë ndërmarrë të gjitha masat për zbulimin e rastit dhe të identifikimit të aktorëve.
Në këtë raport po ashtu theksohet fakti se janë arrestuar katër persona, me ç‘rast njërit nga ta iu është caktuar masa e paraburgimit, ndërkaq të tjerët janë intervistuar.

Anëtarët e komisionit parlamentar për siguri pas shqyrtimit të raportit konstatuan se duhet të kërkohet nga Policia e Kosovës që të formojë një komision, i cili do të bëjë vlerësimin, invertarizimin , si dhe sigurimin më të madh të dhomave të dëshmive në nivel të Kosovës.
Po ashtu u kërkua nga prokuroria dhe gjykatat që të ndërmarrin veprime, në mënyrë që të dalin para gjyqit kryesit e këtyre veprime që kanë dëmtuar imazhin e Policisë së Kosovës dhe theksohet se është koha e një përgjegjësie më të lartë institucionale.
Këto rekomandime u mbështeten nga Komisioni për Siguri, për t'iu drejtuar në formë të shkruar Inspektoratit Policor të Kosovës. Me këtë rast, IPK-së iu caktua edhe afati kohor prej një muajsh, duke sqaruar më tej se do të mbikëqyret edhe zbatimi i këtyre rekomandimeve.

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Ahmet Isufi, gjatë diskutimit të tij tha se duhet të kërkohet përgjegjësi institucionale në nivelin më të lartë, duke shtuar se zinxhiri komandues dhe udhëheqësit e MPB-së duhet të kenë masa më të rrepta, në mënyrë që mos të lejojnë të dëmtohet imazhi i Policisë së Kosovës.
Ndërsa, nënkryetari i komisionit, Rexhep Selimi, duke e cilësuar raportin si të mangët tha se gjatë shqyrtimit të këtij raporti ka vërejtur një lloj përplasje mes Prokurorisë dhe Policisë, duke vlerësuar se këtu është fshehur diçka për komisionin dhe opinionin. Ai më tej theksoi se nuk duhet të jetë e paprekshme struktura përgjegjëse në hierarkinë më të lartë të policisë, të cilët duhet të bëheshin përgjegjës për këtë, duke vlerësuar se përgjegjësit më kryesor duhet të jenë struktura komanduese e Policisë së Kosovës.
Anëtari i Komisionit, Anton Çuni, tha se rastet e fundit po dëmtojnë imazhin e policisë. Ai kërkoi nga MPB-ja dhe PK-ja që të ndërmarrin inspektimin dhe inventarizimet në të gjitha dhomat e dëshmive, duke shtuar se Inspektorati Policor i Kosovës duhet t'i intensifikojë veprimet drejt zbardhjes së këtij rasti kriminal në PK.
Ndërsa, Fatmir Xhelili, fillimisht tha se për arsye të procesit hetimor në raport nuk mund të jepen elemente më të hollësishme.
Me tej Xhelili propozoi se Policia e Kosovës duhet të formojë një komision të jashtëzakonshëm në mënyrë që të bëjë evidentimin e të gjitha zyrave ku ruhen provat dhe evidencat. Ai shtoi se Inspektorati i Policisë duhet të bëjë inspektim të jashtëzakonshëm.
"Policia e Kosovës duhet të zhvillojë hetime shumë serioze, meqë në PK ka kuadër të mjaftueshëm profesional për zhvillimin e hetimeve për zbardhjen e plotë të vjedhjes", tha Xhelili, duke shtuar se nuk është turp që të kërkohet ndihmë edhe nga EULEX-i.
Edhe Vjollca Krasniqi, duke e vlerësuar raportin si të mangët dhe të shkurtë tha se derisa nuk është zbardhur veprimi i tillë siç ndodhi në vitin 2009 në dhomën e dëshmive në Prishtinë, kjo është një stimulim i atyre njerëzve të pandërgjegjshëm që ta bëjnë një gjë të tillë edhe në dhomën e dëshmive në Pejë.

Pas shqyrtimit të raportit të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe përkrahjes së rekomandimeve të komisionit për IPK-në, Komisioni shqyrtoi edhe kërkesën e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale lidhur me ngritjen e buxhetit të kësaj Agjencie. Anëtarët e komisionit u dakorduan që t'i drejtohen Kuvendit dhe Qeverisë që Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të ketë buxhet më të madh, si dhe të kalojnë në objekte institucionale.

Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së