Lajmet e fundit

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, raportoi në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, lidhur me Projektligjin për shëndetësinë

E Enjte, 21.06.2012




Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka raportuar sot në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, lidhur me Projektligjin për shëndetësinë, i cili ditë më parë është përkrahur në parim nga komisioni.
Duke dhënë një pasqyrë të përgjithshme të përmbajtjes së këtij projektligji, ministri Agani e konsideroi atë një dokument të rëndësishëm ligjor në fushën e shëndetësisë, miratimi i të cilit do t'i hapë rrugë një reforme thelbësore në këtë lëmë.
Ai tha se sistemi aktual shëndetësor, i vendosur në rrethanat e gjendjes emergjente të pasluftës, ka reflektuar nevojat e mbijetesës, por jo edhe ato të zhvillimit të shëndetësisë. Reforma në këtë sistem, e planifikuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas ministrit Agani, do të zbatohet në dy faza: faza e parë do të fillojë me miratimin e Projektligjit për shëndetësinë në Kuvendin e Kosovës, që nënkupton reformën organizative-strukturore të sistemit shëndetësor, ndërsa faza e dytë do të fillojë me miratimin e Ligjit për sigurime shëndetësore, i cili do të përcillet me reformë në dimensionin financiar të shëndetësisë.
"Koha se kur do të miratohet Projektligji për sigurimet shëndetësore, do të përcaktohet nga Ministria e Shëndetësisë, Qeveria e Kosovës, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Do të jetë një moment kur ne do të vlerësojmë se kemi kapacitete të mjaftueshme për zbatimin e tij", theksoi ministri Agani.
Ai tha se Projektligji për shëndetësinë është rezultat i një pune disavjeçare, e shoqëruar së fundi me konsultime me partnerët vendorë, si dhe Bankën Botërore e Fondin Monetar Ndërkombëtar, zbatimi i të cilit do të pasohet me reformë strukturore në këtë sektor.
Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, ngritën një varg çështjesh rreth përmbajtjes së projektligjit dhe kërkuan sqarime nga ministri lidhur me disa paqartësi në të.
Duke dhënë shpjegimet e nevojshme, ministri Agani shprehu gatishmërinë që të jetë në shërbim të komisionit gjatë gjithë fazës së shqyrtimit dhe amendamentimit të këtij projektligji.

 

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, raportoi në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, lidhur me Projektligjin për shëndetësin&am