Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

E Enjte, 21.06.2012




Në dëgjimin publik të organizuar sot nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, u diskutua lidhur me zbatimin e Ligjit për Avokatin e Popullit. Takimin e kryesoi Suzan Novobërdali, kryetare e komisionit, ndërkaq, Rita Hajzeraj-Beqa, nënkryetare e parë dhe kryesuese e grupit punues për monitorimin e Ligjit, njoftoi për qëllimin e këtij debati.
Lidhur me këtë, ajo tha se Komisioni në fokus të angazhimeve të tij ka monitorimin e këtij ligji, për ç'gjë ka formuar edhe grupin punues për të parë nga afër ecurinë e zbatimit të Ligjit. Në vijim, Hajzeraj tha se grupi që ajo kryeson ka pasur takime me të gjitha zyrat regjionale të Avokatit të Popullit si dhe me Zyrën Qendrore të këtij institucioni. Takimin e sotëm, Hajzeraj e vlerësoi të dobishëm, nga i cili do të dalin rekomandime konkrete për formulimin e raportit përfundimtarë për monitorimin e këtij Ligji.
Avokati i Popullit, Smajl Kurteshi, ndërkaq, fillimisht njoftoi për punën e këtij institucioni. Ai tha se institucioni i Avokatit të Popullit pas zgjedhjes së zëvendësavokatëve (pesë sish), ka bërë ristrukturimin e brendshëm i cili ka rezultuar me efikasitet të kënaqshëm në punën e institucionit. Shtimin e vazhdueshëm të ankesave dhe numrin në masën prej 10% të atyre që kërkojnë ndihmë nga ky institucion, Kurteshi e vlerësoi si tregues i rritjes së besimit nga ana e qytetarëve kundruall institucionit që ai udhëheqë. Edhe zgjidhja e rasteve në favor të të ankuarve është rritur në 10% tha ai, dhe shtoi se numri i përgjithshëm i rasteve që arrin të zgjidhet pozitivisht, arrin deri në 60 %. Ne, tha në vijim Kurteshi, i'u kemi ofruar mesatares evropiane në përpunimin dhe zgjedhjes së rasteve.
Duke folur për sfidat që e përcjellin këtë institucion, ai vuri në dukje ndërhyrjen në pavarësinë buxhetore të këtij institucioni, mungesën e imunitetit për stafin mbështetës, mungesën e hapësirave teknike dhe logjistikën, përkatësisht automjetet për vizita në teren. Përfaqësuesi i KMDLNJ-së, ai i komunës së Mitrovicës dhe Istogut, ndërkaq, u angazhuan që Institucionit të Avokatit të Popullit t'i sigurohet pavarësi e plotë në përmbushjen e përgjegjësive për të cilat e obligon Ligji. Ata shfaqën qëndrimin se tejkalimi i sfidave që ka ky institucion, duhet rregulluar me ligj, përkatësisht me plotësim-ndryshim të ligjit aktual.
Në vijim, Avokati i Popullit, i'u përgjigj edhe pyetjeve që ngritën anëtarët e komisionit. Në pyetjen e shtruar për shkaqet e vonesës së Raportit Vjetor (Raporti është dashur t'i dërgohet komisionit në mars), sipas Kurteshit është numri i vogël i stafit, ndërsa buxheti prej 620 mijë euro është i pamjaftueshëm për shtimin e tij.
Në fund të këtij debati, kryesuesja e grupit punues, Hajzeraj, kërkoi nga të pranishmit që rekomandimet lidhur me monitorimin e këtij Ligji, t'i dërgojnë me shkrim në komision.

 

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...