Lajmet e fundit

Në kuadër të vizitës në Shqipëri, Komisioni për Buxhet dhe Financa u takua me ministrin Bode dhe kryetarin e KLSH-së, Leskaj

E Enjte, 21.06.2012




Në kuadër të vizitës studimore në Shqipëri, Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga kryetarja e komisioni, Safete Hadërgjonaj dhe në përbërje anëtarët tjerë të komisionit: Naser Osmani, Latif Gashi, Muhamet Mustafa, Duda Balje dhe Xhevdet Neziraj, si dhe Sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi, është pritur nga ministri i Financave i Republikës së Shqipërisë, Ridvan Bode. Në këtë takim u bisedua për rolin dhe eksperiencën e Ministrisë së Financave në avancimin e kuadrit ligjor të procesit buxhetor dhe për rolin e stafit të administratës së Ministrisë në përgatitjen e buxhetit.
Fokus interesimi i anëtarëve të komisionit ishte procesi i përgatitjes, shqyrtimit dhe miratimit të buxhetit dhe rregullimit të pagave për institucionet e pavarura në Shqipëri. Anëtarët e komisionit u informuan se procesi i përgatitjes dhe miratimit të buxhetit në Shqipëri është i unifikuar dhe këtij procesi i nënshtrohen të gjitha institucionet buxhetore, pavarësisht nga statusi i tyre, me përjashtim të Bankës së Shqipërisë, ndërsa çështja e pagave është e rregulluar me ligj dhe nuk ka probleme në zbatimin e tij.
Komisioni për Buxhet dhe Financa zhvilloi një takim të veçantë edhe me zëvendësministrin e Financave, Nezir Haldedaj, drejtoreshën e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi dhe drejtoreshën e Departamentit të Administratës Publike, Blerta Selenica. Në këtë takim u bisedua lidhur me procedurat dhe përgatitjen teknike të buxhetit për institucionet e pavarura, aspektin e funksionimit të tyre, statusin e nëpunësve që punojnë në këto institucione etj. Komisioni u informua se institucionet e pavarura ruajnë pavarësinë e tyre funksionale të përcaktuar me ligj dhe i raportojnë Kuvendit, mirëpo të gjitha këto institucione i nënshtrohen rregullave dhe procedurave të përgatitjes dhe miratimit të buxhetit, sikurse edhe të gjitha institucionet tjera që financohen nga buxhetit i shtetit dhe në pajtim me ligjin për menaxhimin e buxhetit. Sa i përket pagave të funksionarëve të lartë publikë, ato janë të rregulluar me ligj të veçantë, ndërsa statusi dhe pagat e punonjësve të institucioneve të pavarura është status i nëpunësve civilë dhe trajtohen sipas ligjit për nëpunësit civilë.
Komisioni u prit edhe nga kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, i cili i informoi anëtarët për punën e këtij institucioni, themelimin dhe funksionimin e tij, vështirësitë dhe problemet që ballafaqohet ky institucion. Sipas Leskajt, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka shënuar progres në punën e tij dhe janë sjellë përvojat me të mira nga vendet e tjera, në formë bashkëpunimi me Institucionet Supreme të Auditit, përfshirë edhe raportin e veçantë me Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës. Bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave, tha ai, është konkretizuar përmes nënshkrimit të Marrëveshjeve të Mirëkuptimit.
Anëtarët e Komisioni për Buxhet dhe Financa e njoftuan kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit me rolin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, nga themelimi e deri më sot, e cila ka ngritur kapacitetet dhe aktivitetin, dhe ushtron lirshëm pavarësinë funksionale dhe menaxhimin financiar, megjithëse si deficit vlerësohet numri i pakët i auditimeve të performancës. Interes i veçantë i diskutimit ishte përgatitja e buxhetit të këtij institucioni dhe raportet me Ministrinë e Financave dhe Kuvendin. U theksua se Kontrolli i Lartë i Shtetit i nënshtrohet të gjitha rregullave në përgatitjen e buxhetit dhe buxhetin e ndërton në bazë të kapaciteteve që ka dhe nevojave në të ardhmen. Konstatim i përbashkët ishte se funksionimi efikas dhe efiçient i këtij institucioni të auditimit, ndihmon në forcimin dhe kualitetin e financave publike.

Në kuadër të vizitës në Shqipëri, Komisioni për Buxhet dhe Financa u takua me ministrin Bode dhe kryetarin e KLSH-së, Leskaj