Lajmet e fundit
Kryetarët e Komisioneve takuan ekipin e Komisionit Evropian për vlerësimin e fizibilitetit
E Mërkure, 20.06.2012
Ekipi faktembledhës i Komisionit Evropian për vlerësimin e fizibilitetit, i drejtuar nga Lawrence Meredith, kryesues për Kosovën, është pritur sot në takim të përbashkët me kryetarët e katër komisioneve parlamentare: Lutfi Hazirin, kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane, Albin Kurtin, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe me dy kryetarët e komisioneve ad-hoc për ndryshimin e Kushtetutës dhe të atij për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet, përkatësisht, Arsim Bajramin dhe Haki Demollin.
Në këtë takim, në të cilin ka marrë pjesë edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, u tha se vizita ka të bëjë me verifikimin e fakteve për vlerësimin e fizibilitetit për Kosovën, i cili pritet të bëhet publik gjatë muajit tetor të këtij viti.
Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, e ka n njoftuar delegacionin nga Brukseli për procesin e integrimit të Kosovës në BE, si dhe për rolin e Kuvendit të Kosovës në këtë proces. Ai ka pohuar se ekziston konsensus i plotë i klasës politike të Kosovës për integrimin evropian. Haziri ka theksuar se për të raportuar në Komision për proceset që kanë të bëjnë me procesin e intergimit në BE, komisioni ka ftuar tre zv.kryeministra dhe pesë ministra resorësh. Ai ka folur edhe për punën që bëhet për reformimin e administratës publike, për ndryshimin e Kushtetutës, për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe për riintegrimin dhe riatdhesimin e personave të kthyer nga vendet e BE-së. Ai ka pohuar se ekziston konsensus i plotë i klasës politike të Kosovës për integrimin e vendit në BE.
Duke u ndërlidhur me marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, Haziri ka kërkuar lehtësim vizash nga vendet e BE-së për studentë, si dhe për njerëz nga lëmi i kulturës, sportit dhe bizneseve.
Kryetari i Komisionit për ndryshimin e Kushtetutës, Arsim Bajrami, ka shpjeguar punën e komisionit ad-hok, të cilin e drejton, duke u përqendruar sidomos në zgjidhjet që janë propozuar për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të vendit nga qytetarët, për të shmangur kësisoj krizat e manifestuara gjatë zgjedhjes së kreut të vendit nga Kuvendi. Ai ka pohuar se me gjithë këto ndryshime kushtetuese, Kosova vazhdon të jetë shtet me elemente të dominimit parlamentar. Ai është shprehur optimist se ndryshimet e propozuara kushtetuese do të miratohen gjatë muajit shtator, ndërkaq ka pohuar se këtë të premte do të miratohet edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e 22 ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Ndër problemet kryesore, me të cilat ballafaqohet legjislativi i vendit në këtë fazë, Bajrami ka përmendur cilësinë e ligjeve që vijnë për miratim, kolezionin e tyre, mungesën e mbikëqyrjes efektive parlamentare , si dhe monitorimin e zbatimit të ligjeve .
Kryetari i Komisionit ad-hoc për Ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet, Haki Demolli, e ka njoftuar delegacionin nga Brukseli me punën që ka bërë dhe për vështirësitë , me të cilat është ballafaquar, sidomos për sa i përket përcaktimit të zonave zgjedhore dhe të listave për deputetë. Ai ka pohuar se janë zgjidhur pa vështirësi të mëdha ndryshimet juridike që kanë të bëjnë me Ligjin për zgjedhjet, por jo edhe çështjet politike që ngërthen ai. Demolli ka theksuar edhe kontaktet e shumta që ka pasur Komisioni me shoqërinë civile, me faktorë ndërkombëtarë në Kosovë, por edhe në debatet me qytetarët e vendit, por është ankuar për dy dështime të takimeve të liderëve të partive politike për të përafruar qëndrimet për çështje të caktuara me Ligjin për Zgjedhjet.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Albin Kurti, ka vënë në dukje përzierjen e kompetencave të qeveritarëve të shumtë të Kosovës në planin e politikës së jashtme, e cila konsiston kryesisht në planin e lobimit për njohe. Ai ka theksuar tendencat në rritje të feudalizimit të jetës politike në Kosovë, duke pohuar papërgjegjshmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe dobësimin e Kuvendit. Ai ka përmendur gjithashtu tendencat në rritje për ta futur legjislativin e vendit në kurthin e efiçiencës, për të pamundësuar debatet substanciale të deputetëve.
Kryesuesi i delegacionit faktembledhës i Komisionit Evropian për vlerësimin e fizibilitetit, Lawrence Meredith, ka theksuar se në bazë të fakteve që do të marrë gjatë takimeve të shumta në Kosovë do të përgatisë një raport për vlerësimin e fizibilitetit për Kosovës, i cili do të konsistojë në nivelin e sundimit të ligjit, reformimin e administratës publike, si dhe qasjen ndaj tregtisë së lirë dhe integrimit të komuniteteve." Kërkoj nga ju që ta përkrahni studimin e fizibilitetit dhe të manifestoni konsensusin e Kosovës dhe të mbështesni agjendën evropiane", ka porositur Meredith, duke theksuar rëndësinë që ka ky fakt për rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE.