Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Mërkure, 20.06.2012
Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit ishte temë e dëgjimit të sotëm publik, të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës. Gjatë debatit, të cilin e kryesoi Zenun Pajaziti, kryetar i komisionit, fillimisht u fol për rëndësinë që ka miratimi i këtij Projektligji. Lidhur me këtë, Pajaziti tha se Projektligji ka rëndësi të veçantë, andaj, është obligim i të gjithëve për t'u angazhuar në nxjerrjen e një Ligji sa më të mirë e të zbatueshëm që mbron interesat e të gjithëve. Në vijim, në emër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), foli Izer Arifi, i cili njoftoi për ecurinë e deritashme dhe punën që ka bërë Ministria gjatë fazës së draftimit. Ky Projektligj, tha ai, është në harmoni me rrethanat aktuale, bazuar edhe në Programin Nacional për Mbrojtje të Konsumatorit. Ai, po ashtu i siguroi të pranishmit se Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit është në harmoni edhe me direktivat e BE-së, me ç'rast përkujtoi se miratimi i tij ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në integrimet evropiane.
Më pas, debati rreth Projektligjit u zhvillua me paraqitjen e opinioneve nga të pranishmit, të cilët dhanë vërejtjet dhe rekomandimet për grupin punues. Përfaqësuesi i shoqatës "Konsumatori", Selatin Kaçaniku dhe ai i shoqatës" Për mbrojtjen e konsumatorit", Nezir Berisha, vunë në pah se dispozita ligjore e Projektligjit, e cila parasheh që në Këshillin për Mbrojtjen e Konsumatorit (sipas Projektligjit, ky këshill do të funksionojë në kuadër të MTI-së), shoqatat që mbrojnë konsumatorët të përfaqësohen vetëm me nga një anëtar, është e papranueshme për ta. Sipas tyre, është më se e domosdoshme që këto shoqata të kenë anëtarë aq sa kanë shoqatat e komunitetit të biznesit në Këshillin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Lidhur me shqetësimin e përfaqësuesve të këtyre shoqatave, reagoi përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Islam Pacolli. Ai sqaroi se edhe përfaqësuesit e komunitetit te biznesit, janë konsumatorë, ndërkaq, ua përkujtoi atyre se mandati i Këshillit, nuk është vendimmarrës, por vetëm këshillëdhënës.
Përfaqësuesi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), ndërkaq, vlerësoi se disa nga dispozitat e Projektligjit duhet qartësuar edhe më shumë, duke iu referuar me këtë rast neneve 1, 5, 8, 29 dhe 76. Sipas përfaqësuesit të PTK-së, Xhevdet Smakiqi, Projektligji duhet të ketë një dispozitë të veçantë, ku ankesat e konsumatorëve të bëhen në inspektoratin përkatës, e jo në Këshillin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Duke folur për këtë Projektligj, përfaqësuesi i KEK-ut, vlerësoi se për sa i përket mbrojtjes së konsumatorit nga fusha e energjisë, ata janë të mbrojtur në mënyrë të kënaqshme me ligjet primare të energjisë. Qëndrimit të tij iu kundërvu anëtarja e komisionit, Myzejne Selmani, e cila ia përkujtoi përfaqësuesit të KEK-ut se Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit, është bazik, andaj më së miri do t'u përgjigjet interesave të konsumatorëve pavarësisht produktit që konsumojnë. Në vijim të debatit, përfaqësuesja e INDEP-it, Dita Dobranja, pati vërejtje në kapitullin e 14-të të Projektligjit, e cila tha se vërejtjet do t'ia dërgojë me shkrim grupit punues.
Pasi u shterën diskutimet rreth këtij Projektligji, kryetari i komisionit, Pajaziti dhe kryesuesi i grupit punues, Hashim Deshishku, kërkuan nga të pranishmit që vërejtjet dhe rekomandimet t'i dërgojnë me shkrim, duke i siguruar gjithashtu se ato do të trajtohen me korrektësi nga ana e komisionit.