Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit Parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim
E Mërkure, 20.06.2012
Komisioni Parlamentar për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim ka organizuar sot dëgjimin publik në kuadër të procesit për mbikëqyrjen e implementimit të Ligjit nr. 03/L-047 për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, përkitazi me çështjet që janë në funksion të mbrojtjes dhe të realizimit të të drejtave dhe interesave të komuniteteve si dhe çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me implementimin e Ligjit në praktikë.
Kryetari i grupit punues Elmi Reqica, që e kryesonte këtë takim, theksoi se grupi punues i Komisionit, duke u bazuar në autorizimet të cilat i ka, ka arritur sukses në aktivitetin e planifikuar për kontrollimin e zbatimit të Ligjit. Për përmbushjen e objektivave të veta gjatë kësaj periudhe dhjetor - maj ka realizuar 6 vizita në institucionet lokale në teren (në Graqanicë, Ranilluk, Prizren, Mamushë, Shterpce dhe Hani i Elezit). Në koordinim dhe mbështetje të personelit të administratës, dhe partnerit OSBE ku ka marrë një numër të madh të dokumenteve institucional për çështjen e zbatimit të këtij Ligji.
Debati është zhvilluar me përfaqësuesit e Ministrisë së Komuniteteve dhe të Kthimit, Ministrinë e Administratës Lokale, Zyrën për çështje të komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Institucionin e Avokatit të popullit, përfaqësuesit e Zyrave lokale të komuniteteve nga Mitrovica, Gjilani, Peja, Prishtina dhe Prizreni, me përfaqësuesit e OJQ-ve, Qendrën evropiane për çështje të komuniteteve dhe të grupeve tjera të interesit.
Në bazë të mendimeve dhe propozimeve të paraqitura për nivelin e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe të pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, është konstatuar se Ligji ekzistues i përmbush standardet evropiane në të gjitha fushat, mirëpo shkalla e zbatimit të tij është e pamjaftueshme qoftë në nivelin lokal, po ashtu edhe në nivelin qendror.
Me qëllim të përmirësimit të implementimi të këtij Ligji, Komisioni ka marrë rekomandime nga ana e autoriteteve qeveritare për nevojën e themelimit të një Komisioni për gjuhët me qëllim të mbikëqyrjes së përdorimit të gjuhëve dhe të shkrimeve në të gjitha nivelet, dhe inicimin e një fushate mediale për informimin dhe njoftimin e qytetarëve përkitazi me çështjet që janë shumë të rëndësishme për të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës.