Lajmet e fundit
Nga vizita e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Shqipëri
E Marte, 19.06.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër të vizitës studimore në Shqipëri, ka zhvilluar sot një takim të përbashkët me Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë.
Në këtë takim u vlerësua bashkëpunimi që ekziston ndërmjet dy komisioneve dhe u shtrua nevoja për ta thelluar më tej atë, në funksion të shkëmbimit të përvojave në fushat përkatëse që mbulojnë komisionet, në trajtimin e problemeve të përbashkëta, zhvillimin ekonomik dhe tregun e përbashkët etj.
U vlerësua e rëndësishme që të nënshkruhet marrëveshje bilaterale në mes dy parlamenteve dhe krijimi i strukturave monitoruese në çështjet ekonomike në mes dy vendeve, me rolin e theksuar të komisioneve përkatëse.
Në takim u diskutua rreth trajtimit të buxhetit dhe rishikimit të tij nga ana e komisionit, si dhe pwr rolin e Kuvendit në përgjithësi në këtë drejtim.
Ndër temat kryesore në këtë takim ishte edhe qasja e Kuvendit dhe e komisione përkatëse ndaj institucioneve dhe agjencioneve të pavarura, në shqyrtimin e buxhetit dhe raporteve të tyre nga ana e Kuvendit. Ishte insistim i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, që Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës të mund të marrë pjesë në takimet regjionale ‘Rrjeti Ballkanik" të komisioneve të vendeve të rajonit, organizuar nga ËestMinster.
Komisioni për Buxhet dhe Financa realizoi një takim edhe me Sekretarin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, gjatë të cilit u njoftua me punën që bënë administrata dhe shërbimet e saj në mbështetje administrative dhe profesionale për deputetët dhe organet e Kuvendit të Shqipërisë.
Komisioni po ashtu zhvilloi një takim me udhëheqësit e Departamentit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura brenda administratës së Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë takim anëtarët e komisionit u njoftuan me rolin dhe aktivitetin që kryen ky shërbim në analizimin e buxhetit dhe raporteve vjetore të agjensioneve të pavarura që i raportojnë Kuvendit, buxhetin e të cilëve po ashtu e miraton Kuvendi. Roli i këtij shërbimi është në analizimin buxhetit të parashtruar nga institucionet e pavarura dhe përgatitja e raportit profesional me informata në shërbim të komisioneve profesionale, i cili shërben si bazë e mirë për shqyrtimin e buxhetit dhe raportit vjetor të këtyre institucioneve dhe hartimin e rezolutës e cila votohet së bashku me raportin në seancë plenare. Në këtë takim u diskutua edhe për përvojën e Shqipërisë në rregullimin me ligj të pagave të funksionarëve publikë dhe nëpunësve civilë.