Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Hënë, 18.06.2012
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetari i komisionit Lutfi Haziri, lidhur me reformën e Administratës Publike, sipas kërkesës së Komisionit Evropian, raportoi sot para anëtarëve të komisionit ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar.
Me këtë rast ministri Yagcilar duke folur për procesin e reformës së administratës publike, fillimisht sqaroi para anëtarëve të komisionit parlamentar se Ligji për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Ligji për Pagat e Nëpunësve Civil janë plotësuar me 13 akte nënligjore (nga 22 sosh të cilat kërkohen) dhe me një akt nënligjor (nga 2 sosh të kërkuara).
Ai gjatë raportimit të tij në këtë takim tha se për zbatimin e Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës janë aprovuar Rregullorja për Nëpunësit Civil Tepricë nga Qeveria dhe Rregullorja për Klasifikimin e vendeve të Punës në Shërbimin Civil.
U theksua se MAP ka filluar zbatimin e ligjit për Administratën Shtetërore duke hartuar Rregulloren për Standardet e Organizimit të Brendshëm dhe Sistematizimin e vendeve të punës në Administratën Shtetërore. Me këtë rast, ministri Yagcilar tha se janë përcaktuar rregullat dhe standardet për organizimin e brendshëm të institucioneve të administratës shtetërore si dhe afati kohor katër muajsh, brenda të cilit duhet të përfundojë organizimi i brendshëm.
Yagcilar tha se për zbatimin e Ligjit të Procedurës Administrative është përgjegjës secili institucion i cili zbaton procedurat administrative, ndërsa nga MAP në strategjinë legjislative për periudhën e tretë të këtij viti është paraparë projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit të procedurës Administrative për tejkalimin e pengesave në zbatimin e plotë të ligjit.
Duke folur për procesin e reformës së administratës publike dhe procesin e rishikimit funksional, ministri Yagcilar theksoi se më 23 maj të këtij viti qeveria ka aprovuar Planin e Veprimit për reformën e Administratës Publike, për zbatimin e Strategjisë së rishikuar të reformës së administratës publike 2010-2013, në të cilin plan, sipas tij, detajohen të gjitha veprimet të cilat duhet të ndërmerren për të arritur objektivat e përcaktuara në strategji.
Tutje, ai theksoi se ekziston edhe komisioni ndërministror për reformën e Administratës Publike, duke theksuar se në vitin 2011 është mbledhur dy herë, ndërkaq gjatë vitit 2012 është mbledhur një herë dhe gjatë këtyre takimeve janë aprovuar një mori planesh zhvillimore strategjike të institucioneve të Kosovës
Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarëve të komisionit, ministri Yagcilar theksoi mes tjerash se bazuar në të gjeturat e Raportit të Progresit 2011, Ministria e Administratës Publike ka hartuar draft-ligjin për Institutin e Kosovës për Administratë Publike, në të cilin projektligj parashihet ngritja e kapaciteteve dhe funksioni kordinues në ngritjen ne kapaciteteve në Administratën Publike.
"Sa i përket konstatimit se ekziston mungesa e koordinimit mes institucioneve të ndryshme në fushën e e-qeverisjes, MAP me qëllim të tejkalimit të kësaj gjendje, ka hartuar Projektligjin për Organet e Shoqërisë së Informacionit, të cilin e ka dërguar për aprovim në Qeveri dhe ky dokument është aprovuar në qeveri", theksoi ai duke shtuar se me këtë ligj parashihet krijimi i Agjensisë për Shoqërinë e Informacionit ku edhe përcaktohen organet, funksionet dhe përgjegjësitë lidhur me Zhvillimin e Shoqërisë së Informacionit dhe konsolidimin e funksioneve dhe të përgjegjësive të institucioneve ekzistuese qeveritare në lidhje me fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe të Komunikimit.
Sa i përket qasjes në dokumente zyrtare, ministri Yagcilar tha se MAP-i ka emëruar zyrtarin për qasje në dokumente publike, i cili pranon, evidenton dhe përgjigjet për të interesuarit për qasje në dokumente publike, duke shtuar se qeveria po ashtu ka obliguar të gjitha institucionet të caktojnë një përgjegjës lidhur me këtë detyrë.
Më tej, ai shtoi se Ligji për Lirinë e Asociimit në OJQ, ka përcaktuar statusin e OJQ-vë duke bërë ndarjen në OJQ me status të përfitimit publik dhe OJQ pa status të përfitimit publik, duke sqaruar se OJQ-të me status të përftimit publik duhet të raportojnë në MAP deri në fund të muajit mars, për secilin vit . Nga 235 OJQ sa kanë qenë të obliguara të raportojnë, për vitin 2011, nga to 190 sosh kanë sjell raportet financiare.
Ministri Yagcilar iu është përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit për çështje të ndryshme, si atë të nepotizmit dhe të ndërhyrjeve politike nëpër institucione, serverin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të institucioneve tjera, keqpërdorimin e serverëve për promovimin e bizneseve, sistemin e kompjuterizimit të shkollave, numrin e të punësuarve nëpër institucione, kontratat mbi vepër të nëpunësve civil, etj.