Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Hënë, 18.06.2012




Zbatimi i Ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit, sfidat dhe problemet që institucionet përgjegjëse hasin gjatë implementimit të tij, ishin temë e dëgjimit të sotëm publik të Komisionit për Buxhet dhe Financa, i cili u organizua në kuadër të mbikëqyrjes të zbatimit të këtij ligji.

Përfaqësues të Ministrisë së Financave, të Doganave, të Njësisë së Inteligjencës Financiare, të Prokurorisë Speciale të Kosovës e të ATK-së, iu përgjigjën interesimit të anëtarëve të komisionit përkitazi me implementimin e ligjit dhe me propozimet eventuale në kuadër të plotësim-ndryshimit të tij.

Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, e cila udhëhoqi takimin, tha se gjatë vizitave të deritashme nëpër institucione të tjera, grupi punues i komisionit ka identifikuar tri çështje kryesore: delegimin e kompetencave te Njësia e Inteligjencës Financiare në fushën e inspektimit, përdorimi i informacioneve të mbledhura nga kjo njësi, si prova në gjykatë, si dhe definimin e çështjes së sekuestrimit të pasurisë, të krijuar në mënyrë ilegale.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, njëkohësisht i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, bëri të ditur se nga sot Njësia e Inteligjencës Financiare është me kompetenca të plota, pas dorëzimit të tyre nga ana e EULEX-it, gjatë javës së kaluar.

Dardan Nuhiu nga Njësia e Inteligjencës Financiare dhe Ali Rexha nga Prokuroria Speciale e Kosovës, theksuan sfidat që institucionet përgjegjëse po hasin gjatë zbatimit të ligjit, si dhe potencuan rëndësinë e plotësim-ndryshimit të ligjit në pjesë të caktuara.

Anëtarë të komisionit, ndërkaq, shfaqen interesimin dhe përkushtimin e tyre që ligji, pas ndryshim-plotësimeve eventuale, të jetë më funksional gjatë zbatimit të tij.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Buxhet dhe Financa