Lajmet e fundit

Kuvendi mbajti mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së kryetarit të Bordit të AKP-së, Dino Asanaj

E Premte, 15.06.2012




Kuvendi i Republikës së Kosovës, me rastin e vdekjes së kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ka mbajtur sot mbledhje komemorative.
Kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, në fjalën e tij, u shpreh:

"Të nderuar deputetë
E nderuar familje Asanaj
Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj

Sot po ndahet prej nesh vëllai dhe miku ynë, Dino Asanaj.


Në jetën e tij të shkurtër, Dino Asanaj bëri aq shumë për të mirën e vendit të vet, për të cilin u përkushtua pa kursim.


Në kushtet e Kosovës së robëruar, Dino i ri, ndonëse kishte mbaruar studimet profesionale, më 1985 detyrohet t'ia kthejë shpinën atdheut për një jetë me të qetë e të sigurt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai me punën, aftësitë personale organizative dhe me djersën e vet, arriti shpejt të bëhej një nga mërgimtarët e suksesshëm në biznes, nëpërmjet të kompanisë së themeluar prej tij të projekteve banesore dhe komerciale.


Edhe pse larg saj, Dino Asanaj nuk e kishte braktisur as harruar Kosovën e tij të dashur. Krahas punës së palodhshme, me të cilën mbante familjen e tij, ai u angazhua në veprimtari shoqërore, politike, ushtarake e diplomatike në shërbim të vendit të vet të robëruar. Fillimisht ishte anëtar i Bordit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Uashington. Dino u mor edhe me publikime të artikujve të shumtë, por edhe të librave, për të vërtetën mbi Kosovën, Shqipërinë dhe Lëvizjen tonë Kombëtare.


Kulmin e angazhimit në karrierën politike, Asanaj e arriti si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të një rëndësie të veçantë kanë qenë veprimet e pareshtura që ai i bëri për afirmimin e Luftës sonë çlirimtare në qarqet politike e diplomatike në ShBA dhe për përfaqësimin e Kosovës e të interesave të saj, fill pas çlirimit. Në këtë cilësi, por edhe me përgatitjen e lartë e njohuritë që kishte, Dino Asanaj kontribuoi si këshilltar në Konferencën ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje. Për këtë kontribut madhor, Dino Asanaj është dekoruar me "Medaljen e Nderit". Si njohës i mirë i çështjeve të mërgatës sonë, ai kishte shërbyer edhe si këshilltar i kryeministrit të Kosovës.


Gjithmonë në krye të detyrës, Dino Asanaj u kthye në Kosovë për të marrë pozitën e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Dino ishte i ndërgjegjshëm për kompleksitetin e këtij misioni të ri, por njëkohësisht edhe për rëndësinë jetike që ka procesi i privatizimit në fazën e tranzicionit zhvillimor të një vendi të rrënuar ekonomikisht, siç ishte Kosova.


Dino Asanaj ishte një punëtor i madh dhe mik i dashur. Dhe duhet thënë këtu, që me virtytet e tij të larta, ai kishte shumë miq, të cilëve do t'u mungojë gjatë. Ai do t'i mungojë edhe Kosovës, për të cilën u angazhua aq shumë dhe aq gjatë.
Duke përfunduar këtë fjalë, dua të ng

ushëlloj edhe njëherë familjarët e tij, miqtë dhe kolegët për humbjen e Dinos së dashur e të mirë.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës nënë".

Pas mbledhjes, në hollin e Kuvendit, deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar, zyrtarë të institucioneve të tjera dhe qytetarë, bënë nderime dhe u nënshkruan në librin e zisë.

Kuvendi mbajti mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së kryetarit të Bordit të AKP-së, Dino AsanajKuvendi mbajti mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së kryetarit të Bordit të AKP-së, Dino AsanajKuvendi mbajti mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së kryetarit të Bordit të AKP-së, Dino AsanajKuvendi mbajti mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së kryetarit të Bordit të AKP-së, Dino Asanaj