Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Premte, 15.06.2012
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka mbajtur një minutë heshtje për drejtorin e ndjerë të AKP-së, Dino Asanaj dhe ka vendosur që në kujtim të tij, Kuvendi të mbajë sot një mbledhje komemorative .
Seanca e rregullt e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet të premten, më 22 qershor. Pas pikave të përhershme të seancave të rregullta të Kuvendit (koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare), në këtë seancë deputetët do të shqyrtojnë.: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, Projektkodin e procedurës penale, Vendimin e Presidentes për kthimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës për rishqyrtim, si dhe raportin e Punës të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, për vitin 2011.
Kryesia , duke e shqyrtuar kërkesën e deputetit Agim Kuleta (i mbështetur nga një grup deputetësh nënshkrues) për të mbajtur debat parlamentar lidhur me përdorimin e tri kodeve të huaja telefonike në Kosovë, ka vlerësuar se kërkesa, konform nenit 15.8 të Rregullores së Kuvendi, i plotëson kushtet për procedim brenda tri javësh pune nga dita kur është marrë mbështetja.
Kryesia e ka lejuar udhëtimin zyrtar në Mal të Zi, të katër deputetëve dhe dy zyrtarëve të Kuvendit, për të marrë pjesë në takimin ndërparlamentar në temën: "Roli i parlamentit në procesin e negociatave të pranimit në BE", që do të mbahet nga 20-22 qershor 2012.
Duke e shqyrtuar kërkesën e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për të prezantuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me aktivitetet e këtij këshilli, Kryesia ka kërkuar që Këshilli fillimisht të përgatisë një raport pune, të cilin duhet t'ia dorëzojë Kuvendit, pastaj legjislativi do të vendosë nëse ka nevojë apo jo që kryesuesi i këtij këshilli ta marrë fjalën në Kuvend lidhur me performancën, veprimet, shpenzimet dhe nevojat e gjyqësorit të Kosovës, si dhe për të hapur debatin parlamentar në këtë temë.
Po në mbledhjen e sotme të Kryesisë nënkryetarët e Kuvendit janë njoftuar lidhur me vizitën zyrtare të Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, të realizuar në Shqipëri.