Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës
E Enjte, 14.06.2012
Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shqyrtoi sot në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Kryetari i komisionit, Arsim Bajrami, i cili udhëhoqi mbledhjen, procesin drejt pavarësisë së plotë e konsideroi sukses për Kosovën dhe fitore të përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare. Ai tha se ky është proces i rëndësishëm politik dhe kërkon koordinim me Grupin Ndërkombëtar Drejtues.
Edhe anëtarët e tjerë të komisionit theksuan rëndësinë e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë dhe konfirmuan përkrahjen e tyre për këtë proces.
Pas diskutimeve, komisioni përkrahu njëzëri projektligjin në parim dhe ia rekomandoi seancës plenare për miratim në shqyrtim të parë.