Lajmet e fundit
Grupi i Grave Deputete nënshkruan marrëveshje të bashkëpunimit me Misionin e OSBE-së në Kosovë
E Enjte, 14.06.2012
Në ambientet e Kuvendit të Kosovës, Grupi i Grave Deputete, kryesuar nga Teuta Sahatqija, nënshkroi Marrëveshjen me Misionin e OSBE-së në Kosovë, kryesuar nga ambasadori Werner Almhofer. Kjo marrëveshje ka të bëjë me fushatën për grumbullimin e fondeve për blerjen e mamografit mobil, sensibilizimin e grave për testim me qëllim të zbulimit të hershëm të shenjave të kancerit të gjirit etj. Fushata, që do të mbulohet nga OSBE-ja, përfshin edhe bërjen e spotit, botimin e broshurave, reklamat, etj., si dhe emetimin e tyre në mediat elektronike dhe të shkruara. Kryetarja e GGD-ës, znj. Sahatqija, tha se një numër i madh i grave të moshës mesatare janë të goditura nga kanceri i gjirit, mirëpo për shkak të kushteve ekonomike, si: shpenzimet e transportit, kapacitetet tepër të vogla të QKUK-ës për t' i trajtuar etj., bëjnë që gratë në shumicën e rasteve të kontrollohen vetëm atëherë kur sëmundja përparon shumë . Kjo mamografi lëvizëse në tërë territorin e Kosovës do të jetë në disponim për të gjitha gratë e të gjitha komunave dhe të të gjitha nacionaliteteve.
Ambasadori Werner duke i përgëzuar GGD-ën për iniciativën tha:"Ju jeni shembulli më i mirë se si politika merret drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve, ju po hapni shumë dyer, duke u marrë me punë shumë praktike. Ai tha se përveç në këtë Projekt, Misioni i OSBE-së në Kosovë do të përkrahë GGD-ën edhe në monitorimin e Ligjit për Barazinë Gjinore, si dhe do të jetë gjithmonë afër aktiviteteve që e bëjnë më të mirë jetën e gruas dhe të qytetarit të Kosovës.
Për rëndësinë e këtij projekti foli edhe menaxherja znj. Donika Kadaj -Bujupi, e cila tha se ky është memorandumi i katërt për këtë qëllim dhe se së shpejti pritet përkrahje edhe nga institucione tjera vendore dhe ndërkombëtare.