Lajmet e fundit
Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit
E Enjte, 14.06.2012
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, filloi me dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: Deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës, deputetët: Aurora Bakalli, Arben Gashi, Shaip Muja, Liburn Aliu, Emin Gërbeshi, Kymete Bajraktari, Duda Balje, Arsim Bajrami dhe Vjosa Osmani, ngritën një varg çështjesh e shqetësimesh të qytetarëve, ndërkaq, pyetjeve parlamentare iu përgjigjën ministrat e kabinetit qeveritar: Nenad Rashiq e Mahir Yagcilar.
Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Projektligjit për të verbër, arsyeshmërinë e të cilit para deputetëve e paraqiti kryetarja e Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Suzan Novobërdali. Ajo njoftoi se Komisioni për Barazi Gjinore në një mbledhje të përbashkët me Komisionin për Buxhet dhe Financa, kanë harmonizuar qëndrimet lidhur me Projektligjin për të verbër, përkatësisht amendamentit të nëntë të tij (dispozitë kjo që përcakton kompensimin material për të verbrit), dhe ftoi deputetët që ta mbështesin atë.
Pas kësaj, deputetët me shumicë votash e miratuan këtë Projektligj. Në vijim, deputetët shqyrtuan edhe Projektligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, paraqiti Raportin me rekomandime për këtë Projektligj. Ajo me këtë rast njoftoi se komisioni e ka shqyrtuar Projektligjin sipas rekomandimit të Kuvendit dhe Rregullores së tij të punës, duke theksuar gjithashtu se ky Projektligj është në harmoni të plotë me legjislacionin në fuqi.
Edhe këtë projektligj, deputetët e miratuan me shumicën e votave të të pranishmëve.