Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 13.06.2012
Të gjeturat e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2011 dhe përmbushja e obligimeve që dalin nga ky raport në fushën e prokurimit publik, kanë mbledhur sot në një dëgjim publik në Komisionin për Buxhet dhe Financa, zyrtarë të institucioneve gjegjëse të fushës së prokurimit publik në Kosovë.
Përfaqësues të Ministrisë së Financave, të Zyrës së Auditorit Gjeneral, të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik dhe të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kanë prezantuar para deputetëve qëndrimet e tyre në raport me çështjet e potencuara në Raportin e Progresit, në këtë fushë.
Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, e cila udhëhoqi takimin, tha se me qëllim të adresimit sa më të mirë të sfidave të prezantuara në raport, konform planit të tij të punës, Komisioni për Buxhet dhe Financa ka kërkuar nga të gjitha institucionet relevante raporte lidhur me të arriturat në fusha të caktuara. Ajo përkujtoi se në vitin e kaluar është miratuar Ligji për Prokurimin Publik dhe se komisioni ka bashkëpunuar me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, në mënyrë që rregullat e prokurimit të bëhen sipas standardeve ndërkombëtare.
Duke folur për adresimin e sfidave të identifikuara, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Lage Olofsson, radhiti një varg hapash që duhet ndërmarrë, si: iniciativa më të mira të prokurimit publik, trajnime për zyrtarët përgjegjës, informim më të gjerë, transparencë etj.
Përfaqësuesi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha, nga ana e tij, theksoi se OSHP-ja, gjatë vitit të kaluar, ka kursyer buxhetin e Kosovës prej rreth 4.5 milionë eurosh, duke kthyer disa lëndë në rishqyrtim dhe rivlerësim. Sa i përket Raportit të Progresit, ai se disa të arritura të OSHP-së nuk janë pasqyruar në të, ndërsa shfaqi shpresën që raporti i këtij viti të jetë pozitiv në këtë lëmë.
Safet Hoxha nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) potencoi arritjet e deritashme të këtij komisioni, duke veçuar nxjerrjen e legjislacionit dytësor. Ai theksoi, gjithashtu, se ka ulje të shkeljeve të rregullave nga ana e kontraktuesve publikë, ndërsa vlerësoi se kompetencat e institucioneve të prokurimit publik janë të ndara dhe të qarta.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, Qerkin Berisha, theksoi se kjo ministri ka kompletuar legjislacionin për prokurimin publik, në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian.
Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, vlerësuan të arriturat në këtë fushë, por, njëkohësisht shtruan nevojën e veprimeve të mëtutjeshme të përbashkëta, për tejkalimin e sfidave të evidentuara në Raportin e Progresit, përmirësimin e imazhit dhe rritjen e efikasitetit në prokurim.
Zëvendëskryetari i parë i komisionit, Naser Osmani, shtroi nevojën e forcimit të sistemit gjyqësor në vend, nëpërmjet të cilit, sipas tij, gjërat do të ishin më të dukshme dhe më të kontrolluara. Ai tha se Kosova ka bazë të mirë ligjore dhe se publikut, nëpërmjet mediave, duhet t'i prezantohen edhe punët e mira që bëhen.