Lajmet e fundit
Znj. Teuta Sahatqija takohet me një delegacion të Ambasadës së Norvegjisë
E Mërkure, 13.06.2012
Fuqizimi i gruas në ekonomi është diskutuar sot në takimin e kryetares së Grupit të Grave Deputete , znj. Teuta Sahatqija, me delegacionin nga Ambasada Norvegjeze, në përbërje: zëvendësambasadori z.Jon Hansen, znj.Astrid Green, drejtore administrative dhe znj. Hilde Seljom, drejtore ekzekutive. Në takim znj. Sahatqija njoftoi mysafirët se megjithëse vendi ka një shkallë të lartë të varfërisë, kjo mund të zbutet duke zhvilluar bizneset e vogla, sidomos veprimtaritë e grave . Ajo mori shembullin e Medika-s pastaj atë të grave të Krushës, të cilat ishin goditur rëndë nga lufta, por filluan veprimtarinë ekonomike nga asgjë, ndërsa tani po arrijnë të mbajnë familjet e tyre. Në këtë vështrim, znj. Sahatqija tha se gratë kanë nevojë për t'u përkrahur me fonde dhe profesionalisht, si për të filluar veprimtarinë , ashtu edhe për plasimin e produkteve të tyre. Pos fondeve, atyre iu duhet edhe ndihma profesionale. Ajo tha se gjatë vizitës në SHBA, në takime në Bankën Botërore, CIPE, CARE dhe institucione tjera të rëndësishme u morën premtime se do të shikohet mundësia për përkrahje të tillë.
Zëvendësambasadori Jon Hansen shprehu gatishmërinë që Norvegjia të ketë rol më të madh sa i përket përkrahjes së bizneseve të vogla në Kosovë. Ndërkaq, znj.Green tha se në Norvegji ka shumë gra që nga shtëpia veprojnë si kooperante dhe bëjnë produkte për treg, sidomos janë të njohura në prodhimet e mishit, qumështit, miellit etj. Znj. Green theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit me Norvegjinë, me qëllim të inkurajimit të grave në fushën e zhvillimit të veprimtarive ekonomike e të biznesit. Dy palët u morën vesh që të organizojnë një Work-shop e pastaj të zhvillohen edhe aktivitete tjera për t' i ndihmuar këto veprimtari.