Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 13.06.2012




Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike do ta shqyrtojë në mbledhjen e radhës. Kështu u vendos në mbledhjen e sotme të këtij komisioni, kryesuar nga Ali Sadriu. Këtë vendim, komisioni e mori pasi që në mbledhje nuk ishte i pranishëm drejtori i OSHP-së, Hysni Hoxha. Komisioni në vijim shqyrtoi kërkesën e presidentes së vendit që t'i dërgohet Raport për angazhimet e komisionit në luftën kundër korrupsionit. Lidhur me këtë, anëtarët e komisionit vlerësuan se presidenten, përkatësisht Këshillin Kombëtar Antikorrupsion (i cili është themeluar me dekret nga presidentja), duhet informuar për të gjitha angazhimet e komisionit në luftimin e korrupsionit.

Me qëllim të mbikëqyrjes më të efektshme të parasë publike, komisioni në mbledhjen e sotme mori vendim të angazhojë ekspertë të fushës. Me mbështetjen e ekspertëve: Haki Shatri dhe Jusuf Kryeziu, komisioni do të mbikëqyrë financat e nivelit qendror, ndërsa në atë lokal me ekspertët: Mentor Ramosaj dhe Halil Latifi, ndërkaq, për mbikëqyrjen e financave publike të agjencioneve të pavarura dhe ndërmarrjeve publike, do të mbështetet nga ekspertët Mustaf Hasani e Safet Merovci.

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike