Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Marte, 12.06.2012
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryetarja Safete Hadërgjonaj, ka shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, një propozim-vendim të qeverisë dhe dy raporte vjetore të agjensioneve të pavarura.
Pas rekomandimit të Komisionit për Legjislacion lidhur me amendamentin 6 të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, komisioni riformuloi përmbajtjen e këtij amendamenti dhe projektligjin në tërësi e procedoi për miratim në seancë plenare.
Komisioni përkrahu edhe Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me emërimin e anëtarëve në Bordin për Rishqyrtimin e Ankesave.
Raporti vjetor i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) për vitin 2011, iu nënshtrua diskutimeve nga ana e anëtarëve të komisionit dhe përfaqësuesve të Trustit. Kryesuesi i Bordit të TKPK-së, Ymer Havolli, shpalosi para komisionit detaje të raportit financiar, duke e vlerësuar vitin 2011 si një vit të vështirë për tregjet financiare ndërkombëtare. Përkundër kësaj, ai tha se Trusti ka arritur ta përmbyllë vitin 2011 me një bilanc pozitiv të kthimit të mjeteve, përderisa është rritur edhe vlera e tyre në menaxhim, falë rritjes së kontribuuesve dhe performancës së investimeve.
Anëtarët e komisionit, ndërkaq, ngritën disa çështje dhe shtruan pyetje në adresë të përfaqësuesve të TKPK-së. Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, ngriti shqetësimin për shumën prej rreth 19 milionë eurosh, pronarët e të cilës nuk dihen ende. Pas shterjes së debatit, komisioni përkrahu raportin dhe e procedoi për miratim në seancë plenare.
Pas diskutimeve, ndërkaq, u shty për një mbledhje tjetër kërkesa e Trustit për miratimin e ndryshimit të taksës menaxhuese. Komisioni, gjithashtu, kërkoi raport shtesë financiar nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit.