Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...

E Marte, 12.06.2012





Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme diskutoi për Planin e Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane për vitin 2012, përkatësisht pikës 74.2, 134 dhe 135.

Kryetarja e Komisionit Suzan Novobërdali, tha se këto pika kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të grave dhe zbatimin e Ligjit për barazi gjinore, si dhe përmbushja e kritereve të parapara për komunitetin romë, ashkali dhe egjiptas (RAE). Për obligimet që dalin nga fusha e të drejtave të grave, si dhe për nivelin e zbatimit të Ligjit për barazi gjinore, foli Edona Hajrullahu, udhëheqëse e Agjencionit për Barazi Gjinore (ABGJ).

"Legjislacioni në Kosovë, ofron bazë të mirë për inkurajimin dhe mbështetjen e pjesëmarrjes së gruas në procesin e punës dhe në pozita vendimmarrëse", tha në fillim të paraqitjes së saj përfaqësuesja e ABGJ-së, Hajrullahu. Ajo, në vijim vuri në dukje se legjislacioni edhe pse fuqishëm promovon parimin e barazisë gjinore duke përcaktuar kuotën e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje prej 40%, Ligji për barazi gjinore ende nuk ka gjetur zbatueshmëri të plotë, tha udhëheqësja e ABGJ-së. Ajo njoftoi të pranishmit edhe për një hulumtim të realizuar nga ana e tyre me moton" Gratë në Procesin e Punës dhe Vendimmarrjes". Sipas këtij hulumtimi, të realizuar me 550 të anketuar, struktura e të cilëve ishte e përbërë nga të punësuar në 73 institucione publike dhe tetë të institucioneve private, 65% e të anketuarëve i përkisnin gjinsë femërore. Hajrullahu theksoi se 58% e femrave punojnë në sektorin publik dhe 26% në atë privat, në organizatat ndërkombëtare punojnë 26% e femrave ndërsa, në sektorin joqeveritar punojnë vetëm 2% e tyre. Po ashtu, sipas këtij hulumtimi, gratë nuk janë të kënaqura as me rolin që kanë në politikë dhe vendimmarrje. Ndër vështirësitë që femrat hasin në zhvillimin e karrierës së tyre, sipas këtij hulumtimi, ishin: nepotizmi, mungesa e përkrahjes institucionale dhe ndikimin e politikës.

Për sa i përket pikës 134 të Planit të Veprimit të Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane për vitin 2012, e që ka të bëjë me përmbushjen e kritereve kundruall komunitetit romë, ashkali dhe egjiptas, njoftoi zv. ministri i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, Beshkoviq Husnija. Që nga themelimi i kësaj Ministrie në vitin 2005, tha zv. ministri Beshkoviq, në vazhdimësi janë shënuar trende pozitive për sa i përket avancimit të të drejtave të komunitetit RAE dhe komuniteteve të tjera në Republikën e Kosovës. Politikat e Ministrisë, tha në vijim ai, janë që të krijojmë mundësi të barabarta në fushën e arsimit, mbrojtjes sociale dhe shëndetësore për të gjitha komunitetet. Në vijim, zv.ministri njoftoi për numrin e shtëpive të ndërtuara sipas nevojave të këtij komuniteti, në tërë territorin e Kosovës. Duke folur për programet qeveritare lidhur me komunitetin RAE, ai tha se Qeveria e ka të qartë se nuk është e mjaftueshme vetëm ndërtimi i shtëpive për komunitet që dëshirojnë të kthehen e të vazhdojnë jetën në Kosovë. Qeveria, tha ai, për integrimin e plotë tyre, në programet e saj qeveritare aplikon politika të suksesshme të mbrojtjes sociale, shkollimit dhe mbrojtjes shëndetësore.

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore...