Lajmet e fundit

Në Komisionin për Integrime Evropiane raportuan ministrat Kuçi e Rexhepi

E Hënë, 11.06.2012




Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, kanë raportuar sot në Komisionin për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe dialogun për sundimin e ligjit.

Në fjalën e tij para deputetëve, zëvendëskryeministri dhe ministri Kuçi theksoi se ministria që ai udhëheq, prioritet të sajën ka jo vetëm sundimin e rendit e të ligjit, por edhe reformat ligjore, të cilat kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian. Përkitazi me këtë, ai përmendi një varg ligjesh që Ministria e Drejtësisë ka hartuar apo është në procedurë draftimi, të cilat konsistojnë në luftën kundër korrupsionit e të krimit të organizuar.

Një nga sfidat në procesin e liberalizimit të vizave, sipas tij, është bashkëpunimi juridik ndërkombëtar dhe fletë-arrestet ndërkombëtare,
Sa i përket Dialogut të strukturuar, Kuçi tha se është menduar që ai të ofrojë një forum të nivelit të lartë për të vlerësuar rregullisht progresin në Kosovë në tri çështje: në gjyqësor, në luftën kundër krimit të organizuar dhe në luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, në këtë dialog do të përfshihen: Studimi i Fizibilitetit në Kosovë, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, Bordi i Përbashkët Koordinues për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Misioni i EULEX-it.

"Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar t'i kryejë detyrat e saj dhe unë jam i bindur që veprimet unilaterale që i kemi ndërmarrë në këtë proces, do të ndihmojnë për vlerësim pozitiv në të ardhmen", u shpreh zv/kryeministri Kuçi.

Një raport për arritjet dhe zhvillimet në procesin e deritashëm të liberalizimit të vizave dhe dialogut për sundimin e ligjit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, përfshirë kornizën legjislative, zbatimin e politikave, kapacitetet institucionale dhe statistikat relevante, para komisionit e paraqiti edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai dha një pasqyrë të punës në katër komponentë të këtij procesi: sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e integruar të kufirit, rendin dhe sigurinë publike, si dhe të drejtat themelore e lirinë e lëvizjes.

"Ky proces ka filluar kohë më parë, me adoptimin e një udhërrëfyesi vetanak, në nëntor të vitit 2009, të bazuar në udhërrëfyesit e vendeve të tjera në rajon. Prej atëherë, në mënyrë unilaterale kemi filluar në përmbushjen e kritereve që kërkohen në procesin e liberalizimit të vizave", theksoi ministri Rexhepi. Duke përshkruar ecurinë e këtij procesi, ai theksoi se në takimin për Dialog të strukturuar për sundim të rendit dhe ligjit, është konfirmuar se më 14 qershor të këtij viti, Kosovës do t'i jepet udhërrëfyesi.

Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, dhanë komente dhe shtruan një varg pyetjesh në adresë të dy ministrave, të cilat kishin të bënin me detaje në lidhje me këtë proces.

Kryetari i komisionit, Lufti Haziri, i cili udhëhoqi mbledhjen, theksoi se të katër llojet e dialogut me BE-në lidhen me një shtyllë, atë të sundimit të ligjit. Ai shfaqi shpresën për qartësim nga ana e Studimit të Fizibilitetit, në mënyrë që procesit i integrimit evropian të Kosovës, sipas tij, të marrë dimension të ri.

Në Komisionin për Integrime Evropiane raportuan ministrat Kuçi e Rexhepi