Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi u takua me kryetaren e Kuvendit të Estonisë, znj. Ene Ergma

E Hënë, 11.06.2012




Sot, me të arritur në Estoni, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dhe delegacioni që ai udhëheq, zhvilluan takimin e parë me kryetaren e Kuvendit të Estonisë, znj. Ene Ergma.

Kryetari Krasniqi e njoftoi homologen e tij estoneze me situatën e përgjithshme dhe zhvillimet e fundit në Kosovë. Ai, gjithashtu, bëri një paraqitje të shkurtër të Kuvendit dhe përfaqësimit të komuniteteve pakicë në të. Kreu i legjislativit e falënderoi Estoninë mike për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit të Estonisë, Ene Ergma, vlerësoi se kjo vizitë do të shënojë fillimin e një bashkëpunimi më të ngushtë parlamentar ndërmjet dy vendeve tona. Ajo shprehu gatishmërinë e parlamentit estonez për të mbështetur Kuvendin e Kosovës, sidomos në fushën e teknologjisë informative (E-Parlament).

Ergma bëri një përshkrim të sfidave që Estonia ka kaluar, prej pavarësimit i saj, para 21 vjetëve. "Ne kemi pasur ndihmë të gjerë, sidomos nga Bundestagu gjerman dhe vendet nordike", theksoi kryeparlamentarja estoneze.
Kryetari Krasniqi, ndërkaq, shtroi nevojën e anëtarësimit të Kuvendit të Kosovës në Unionin Inter-parlamentar dhe mbështetjen që i duhet atij në këtë rrugë.

Kryeparlamentarja estoneze dhe shoqëruesit e saj u interesuan edhe për gjendjen në veri, si dhe për ndryshimet eventuale politike pas ndërrimit në kreun shtetëror të Serbisë. Kryeparlamentari Krasniqi paraqiti qëndrimet e Kosovës për normalizimin e gjendjes në veri dhe për kthimin e sundimit e ligjit e të institucioneve demokratike atje.

Takimi kaloi në frymë miqësie e bashkëpunimi, ndërkaq kryetari Krasniqi i bëri ftesë zyrtare kryetares së Kuvendit estonez, për vizitë në Kosovë.

 

Kryeparlamentari Krasniqi u takua me kryetaren e Kuvendit të Estonisë, znj. Ene Ergma