Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Hënë, 11.06.2012
Pas miratimit në parim të Projekt kodit të procedurës penale, Komisioni për Legjislacion në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Arben Gashi, formoi grupin punues dhe caktoi ekspertët për amendamentimin e tij.
Në vijim, komisioni shqyrtoi kërkesën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Për sa i përket kësaj kërkese, komisioni vlerësoi se ajo ka bazë juridike, andaj u dakorduan që lidhur me aktivitetin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, (sipas kërkesës së këtij këshilli) deputetët të njoftohen në mbledhje plenare.
Gjatë shqyrtimit të propozimeve për anëtar të Këshillit në Komisionin për ndihmë juridike falas, ndërkaq, komisioni vlerësoi se të propozuarit nuk kanë të kompletuar dokumentacionin sipas kritereve që parasheh Ligji. Komisioni vendosi që listën e të propozuarve ta shqyrtojë pasi që të propozuarit të kompletojnë dokumentacionin sipas dispozitave ligjore.
Në vijim, komisioni shqyrtoi edhe kërkesën e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, drejtuar komisionit. Lidhur me kërkesën e presidentes që komisioni të formulojë raport për aktivitetet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar për periudhën janar- qershor 2012, anëtarët e komisionit thanë se kjo kërkesë nuk përkon me praktikat e deritashme të Kuvendit, për arsye se komisioni, përkatësisht Kuvendi nuk është i obliguar t'i raportojë asnjë mekanizmi institucional përpos që të informojë. Duke konsideruar se nuk janë të obliguar që të raportojnë, anëtarët e komisionit u shprehën se do të njoftojnë presidenten për të gjitha angazhimet e komisionit për luftimin e kësaj dukurie. Anëtarët e komisionit, u shprehën se kemi shqyrtuar dhe proceduar të gjitha ligjet që janë në funksion të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe kanë shqyrtuar të gjitha ligjet që bien në fushëveprimtarinë e komisionit. Për të mos thyer praktikat e deritashme, anëtarët e komisionit vendosën që kërkesën e presidentes ta trajtojnë si kërkesë për informim, e jo si kërkesë për raport.
Pas kësaj, komisioni shqyrtoi Projektligjin për menaxhimin financave publike. Për këtë Projektligj, (ndonëse Kryesia e Kuvendit e ka futur në rend dite për mbledhjen plenare të së enjtes), komisioni nuk mundi të harmonizojë qëndrimet lidhur me amendamentin e gjashtë të nenit katër me ato të Komisionit për Buxhet dhe Financa, dhe vendosi t'ia kthejë për rishqyrtim.
Në fund të mbledhjes së sotme, kryetari i Komisionit njoftoi me rekomandimet e dala nga një dëgjim publik lidhur me Kodin Penal të Kosovës, të organizuar nga komisioni. Rekomandimet e atij takimi ishin që neni 37, 38 dhe 39, të hiqen nga Kodi Penal i Kosovës.