Lajmet e fundit

Përfaqësuesit e REA –as pritën ministren për Migrim të Belgjikës, De Blok

E Hënë, 11.06.2012




Përfaqësuesit e komunitetit rom, egjiptian dhe ashkanli në Kuvendin e Kosovës: Xhevdet Neziraj, Hetem Arifi, Danush Ademi dhe Albert Kinolli, kanë pritur sot ministren për Migrim dhe Azil të Mbretërisë së Belgjikës, Maggie De Blok, e cila kryesonte një delegacion qeveritar belg, që ka të bëjë me çështje të migracionit.

Temë kryesore e bisedës ka qenë riatdhesimi i të kthyerve nga Belgjika nga radhët e komuniteteve rom, egjiptas dhe ashkanli, si dhe krijimi i kushteve që për riintegrim të suksesshëm të tyre në shoqërinë e Kosovës.

Ministrja për Migrim dhe Azil të Mbretërisë së Belgjikës, Maggie De Blok, që në fillim të takimit e ka bërë të qartë se shteti i saj ka ndërmarrë masa shtrënguese për sa i përket marrjes së lejeqëndrimit në Belgjikë të të ardhurve nga vendet e Ballkanit dhe India, për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve ( 25 mijë gjatë vitit të kaluar), për procedurat e përshpejtuara (brenda 15 ditësh) për shqyrtimin e arsyes për pranim apo mohim të qëndrimit, që nënkupton kthimin e vullnetshëm apo të dhunshëm në vendin e origjinës. Ajo ka pohuar se janë shtuar edhe filtrat për arsyet shëndetësore të të ardhurve në Belgjikë, duke shtuar se qëllimi i kësaj vizite është që të njihet me rrethanat shoqërore dhe ekonomike për riatdhesimin e qytetarëve me origjinë nga Kosova, në mesin e tyre edhe ata nga radhët e komunitetit rom egjiptian dhe ashkanli. Zonja De Blok ka shfaqur shqetësimin e saj se me marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave për Kosovën, do të shtohet numri i kosovarëve që do të synojnë qëndrimin në Belgjikë dhe vende të tjera të BE-së, prandaj ka kërkuar që të merren të gjitha masat e mundshme që të mos abuzohet me marrjen e këtij udhërrëfyesi.

Përfaqësuesit e komunitetit rom, egjiptian dhe ashkali në Kuvendin e Kosovës: Neziraj, Arifi, Ademi dhe Kinolli kanë pohuar se në Kosovë janë të garantuara liritë dhe lë drejtat e komuniteteve pakicë, madje më mirë se në disa shtete anëtare të BE-së dhe se komunitetet pakicë janë integruar mirë në shoqërinë e Kosovës. Si problem kryesor në Kosovës, jo vetëm për këto komunitete, por për të gjithë qytetarët e Kosovës, ata a kanë parë papunësinë e madhe dhe zhvillimin e mangët ekonomik të vendit. Ata e kanë falënderuar Belgjikën për gjithë çka bërë për Kosovën dhe popullin e saj, por njëherësh kanë kërkuar nga ministrja belge që t'u mundësohet integrimi në shoqërinë belge të bashkatdhetarëve tanë të migruar gjatë dekadave të shkuara, kurse

azilkërkuesve të rinj t'u krijohen kushte për kthimin e dhe për riintegrimin e tyre në shoqërinë e Kosovës. Ata kanë theksuar se e kuptojnë rëndësinë që ka riatdhesimi i suksesshëm i të kthyerve nga vendet perëndimore për procesin e liberalizimit të vizave dhe për integrimin e Kosovës në BE, por kanë kërkuar që kthimi të bëhet suksesivisht dhe jo në formë fushate, që do ta vështirësonte gjendjen edhe ashtu të rëndë ekonomike në Kosovë. Ata kanë pohuar gjithashtu se shumica e azilkërkuesve kosovarë (nga këto komunitete), në vendet perëndimore, i kanë shitur shtëpitë dhe pronat e tjera të tyre në Kosovë, prandaj kthimi i tyre do t'i shkaktojë vështirësi të mëdha buxhetit të vogël të Kosovës. Duke theksuar se për riatdhesim janë paraparë vetëm 3.5 milionë euro, ata e kanë quajtur të domosdoshme mbështetjen nga Belgjika dhe vendet e tjera të BE-së të procesit të kthimit të bashkatdhetarëve tanë të të gjitha komuniteteve , si dhe për riintegrimin tyre në shoqërinë e Kosovës.

Përfaqësuesit e REA –as pritën ministren  për Migrim të Belgjikës, De Blok