Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion parlamentarësh nga Sllovakia

E Premte, 08.06.2012




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dr. Jakup Krasniqi, priti sot një delegacion parlamentarësh nga Sllovakia (prej 12 anëtarësh), të shoqëruar nga, analistë, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të mediave.

Zhvillimet aktuale politike në vend, ndërtimi i raporteve fqinjësore, dialogu teknik Prishtinë - Beograd, pozita e komuniteteve në Kosovë, procesi i përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur, roli i EULEX-it, ishin temë diskutimi në takimin e sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi me delegacionin nga Sllovakia.

Duke iu uruar mirëseardhje delegacionit nga Sllovakia, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, tha se kjo vizitë do t'iu mundësojë atyre që të kenë një pasqyrë të drejtpërdrejtë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Kryetari Krasniqi duke folur për të kaluarën historike nëpër të cilën ka kaluar Kosova, si dhe duke paraqitur rezultatet që Kosova ka pasur pas shpalljes së pavarësisë, por edhe sfidat me të cilat ajo po përballet aktualisht, sqaroi se deri më tani shtetin e Kosovën e kanë njohur 90 shtete të OKB-së. Më pas ai përmendi edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, si dhe anëtarësimin e Kosovës në Fondin Ndërkombëtar Monetar, Bankën Botërore, duke shtuar se Kosova ka marrëdhënie të mira me shumicën e vendeve të BE-së. Ai përmendi edhe raportet e shkëlqyera që ka vendi ynë me shefin e delegacionit të PE-së për Evropën Juglindore, Eduard Kukan.

Me këtë rast Krasniqi, kërkoi nga shteti i Sllovakisë që ta njoh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. "Dëshirojmë që të gjitha vendet e BE-së, në mënyrë të veçantë edhe Sllovakia ta njohin Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo do ta lehtësonte rrugën e Kosovës drejt integrimeve në BE", theksoi Krasniqi, i cili shoqërohej nga nënkryetari i Kuvendit, Petar Miletiq, Hydajet Hyseni, nënkryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Lutfi Haziri, kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane, Ahmet Isufi, kryetar i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe deputetët Albert Kinolli e Fatmir Xhelili.

Duke folur për dy dokumentet e rëndësishme të BE-së, studimin e fizibilitetit dhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, Krasniqi tha se tashmë këto dy dokumente janë duke u analizuar gjerësisht nga të gjitha institucionet e Kosovës, ndërsa më tej foli edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

"Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe të bisedojmë me palën serbë, për të ndryshuar kualitetin e jetës së dy popujve tanë, shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe serbëve që jetojnë në Kosovë, pasi që të dy palët meritojnë të kenë një jetë më të rehatshme dhe të dinjitetshme", theksoi Krasniqi, duke shtuar se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me Serbinë për të ecur në rrugën e përbashkët drejt integrimeve në BE.

Duke folur për pozitën e komunitetit serb në Kosovë, Krasniqi shtoi se një pjesë e mirë e qytetarëve serb janë integruar në jetën institucionale dhe publike, ndërsa përmendi edhe studimin e ICO-së për qytetarët serbë në Kosovë, sipas së cilit qytetarët serb janë të gatshëm të bëhen pjesë e jetës institucionale dhe publike në Kosovë, si dhe të shfrytëzojnë të drejtat dhe liritë që ua jep Kushtetuta e Kosovës.

Tutje, ai foli edhe për përfaqësimin e komuniteteve në Parlamentin e Kosovës, duke theksuar se ekziston përfaqësim dinjitoz i komunitetit pakicë në jetën institucionale dhe publike.

Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit, Petar Miletiq, tha se po tentohet që të organizohet jetë sa më cilësore e serbëve në Kosovë, në mënyrë që të integrohen në shoqërinë kosovare. Ai theksoi se serbët e pjesës së veriut nuk janë integruar, ndërsa për serbët e jugut tha se duhet të punohet ende për integrimin e tyre.

Miletiq shtoi se serbët janë të përfaqësuar mjaft mirë në Kuvend dhe në Qeveri, ndërsa foli edhe për proceset e reformës kushtetuese.

Anëtari i Komitetit për Siguri dhe Mbrojtje, Martin Fedor, duke falënderuar fillimisht kryetarin Krasniqi dhe deputetët për mikpritjen që u bënë atyre, sqaroi se vizita e delegacionit nga Sllovakia është me karakter studimor. Mes tjerash ai tha se Kosova për t'u integruar në BE, duhet të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët e saj.

Gjatë këtij takimi folën edhe deputetët: Hydajet Hyseni, Lutfi Haziri, Ahmet Isufi dhe Fatmir Xhelili.

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion parlamentarësh nga Sllovakia