Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
E Premte, 08.06.2012
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme shqyrtoi amendamentin e nëntë dhe të 22-të, të Projektligjit për persona te verbër.
Në këtë mbledhje, të kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Suzan Novobërdali, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Shoqatës së të verbërve të prirë nga kryetari i saj Bujar Kadriu, përfaqësues të OJQ-ve dhe kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj. Me këtë rast, Hadërgjonaj vuri në dukje se Projektligji për të verbër, përkatësisht amendamenti i nëntë (kjo dispozitë përcakton kompensimin material për të verbrit), në mungesë të mjeteve nuk do të mund të implementohet nga Qeveria, përkatësisht Ministria e Financave sipas propozimit të Komisionit për Barazi Gjinore. Pas diskutimeve, Komisioni mbështeti amendamentin e propozuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, i cili parasheh që kompensimi për këtë kategori të jetë mbi bazën e pagës minimale në Kosovë. Sipas këtij amendamenti, me një akt nënligjor të cilin mbetet ta nxjerrë Ministria përkatëse, të verbërve u garantohen të ardhura mujore në vlerë prej 100 euro. Komisioni, po ashtu miratoi edhe amendamentin e 22-të sipas propozimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa.