Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

E Premte, 08.06.2012




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me shefat e grupeve parlamentare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka përcaktuar rendin e ditës për seancën plenare të Kuvendit të 14 qershorit të këtij viti.

Pas shterimit të pikave të përhershme të rendit të ditës së seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, në radhë do të jenë shqyrtimi i dy projektligjeve: Projektligji për personat e verbër dhe personat pjesërisht të verbër dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë.

Në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje do të jenë edhe Njoftimi i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me përzgjedhjen e auditorit të jashtëm për auditimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2011 dhe Njoftimi me përmbledhjen e Rekomandimeve të Raportit të Vlerësimit, të Analizës dhe të Udhëzuesve, përgatitur nga ekspertët e Projektit të Binjakëzimit. Ndërkohë, rendi i ditës mund të plotësohet edhe me ndonjë pikë tjetër, nga materialet që janë në procedurë në komisionet parlamentare.

 

 

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës