Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 07.06.2012




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet e deputetëve. Në pyetjet e shtruara nga deputetët u përgjigjën ministrat e sektorëve përkatës të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht : Agim Çeku dhe Fehmi Mujota.

Në vijim të seancës në rendin e ditës ishte miratimi i Rekomandimeve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore,Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me rolin dhe pozitën e fëmijëve në Kosovë, të cilat i paraqiti Suzan Novobërdali. Në tekstin e rekomandimeve thuhet:

1. Qeveria e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, në afat sa më të shkurtër kohor të hartojë Programin Kombëtar gjithëpërfshirës për zhvillimin dhe edukimin në fëmijërinë e hershme, i cili do të garantojë zhvillimin e plotë të fëmijës si një qytetar i dobishëm dhe produktiv për shoqërinë kosovare;

2. Të inkurajojë institucionet, si në nivel qendror ashtu edhe në nivel lokal, duke siguruar burime njerëzore dhe financiare të nevojshme për zbatimin e politikave të nevojshme në hartimin, zbatimin, mbikëqyrjen lidhur me zhvillim dhe edukimin në fëmijërinë e hershme në Kosovë;

3. Të hartojë programe cilësore dhe edukative për prindërit, me qëllim të , përmirësimit të ushqyeshmërisë, kujdesit dhe stimulimit të të nxënit në fëmijërinë e hershme, që do të ofrohen përmes shërbimeve shëndetësore, si maternitetet dhe qendrat e mjekësisë familjare në sektorin publik dhe privat, në bashkëpunim me sektorin e arsimit dhe mirëqenies sociale;

4. Me qëllim të realizimit të të drejtave të fëmijëve, për zhvillimin e potencialit të plotë kognitiv, emocional, social, fizik dhe përgatitjen e nevojshme paraprake për shkollë, të hartojë programe edukative cilësore për prindër, edukatorë dhe kujdestarë, përmes shërbimeve që do të ofrohen nga institucionet e arsimit në bashkëpunim me institucionet e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale ;

5. Të fuqizojë shërbimet sociale për mbrojtjen e fëmijës nga çfarëdo formë e dhunës, keqtrajtimit dhe eksploatimit, si dhe mbrojta sociale përmes ofrimit të asistencës sociale për fëmijët në nevojë;
6. Të fuqizojë zbatimin e kodeve etike nga të gjitha institucionet dhe profesionistët të cilët punojnë drejtpërdrejt me fëmijë, si dhe mediat, për të siguruar mbrojtjen nga cenimi i të drejtave të fëmijëve ;

7. Të sigurojë që në procesin e riatdhesimit, në mënyrë individuale të shqyrtojë çdo rast, duke marrë parasysh interesin më të lartë të fëmijës, në mënyrë që të kenë qasje të barabartë në shërbime shëndetësore, arsimore dhe sociale;

8. Të hartohet Projektligji për të drejtat e fëmijëve.

Prezantimin dhe arsyetimin e Projektligjit për mbrojtjen e konsumatorit, në shqyrtim të parë, para deputetëve e bëri Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, e cila theksoi se qëllim kryesor i këtij projekti është vendosja e një kornize për mbrojtjen e konsumatorit sipas standardeve evropiane. Ajo theksoi se ky Projektligji nuk ka implikime buxhetore. Pas debatit, i cili u shoqërua edhe me vërejtje e sugjerime, u përkrah në parim Projektligji për mbrojtjen e konsumatorit.

Deputetët pastaj shqyrtuan Propozim-vendimin e Komisionit për Përzgjedhjen e kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. U theksua se procedurat rreth propozimit të anëtarëve kanë qenë të rregullta. Në vijim Kuvendi zgjodhi kryesuesin dhe anëtarët Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, përkatësisht: Ymer Havolli, kryesues, ndërsa Driton Qehaja, Van Driel Willem, Alan Pickering dhe Ruzhdi Morina, anëtarë.

Në vazhdim Kuvendi shqyrtoi Raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për vitin 2011. Përkitazi me këtë raport u zhvillua një debat i gjerë i shoqëruar edhe me replika. Megjithëse vlerësohej se nga ana formale ai i përmbush obligimet ligjore, nga disa diskutues u vlerësua si i mangët, pasi gjatë shqyrtimit nuk shoqërohet njëkohësisht edhe nga Raporti i auditimit. Kishte vërejtje nga ana gjuhësore të raportit, por edhe se është sipërfaqësor. Theksohej se Agjensioni Kosovar i Privatizimit nuk ka kryer funksionin e vet ashtu si duhet, nuk ishte ofrues sa duhet ndaj investitorëve nga bota. Duke përmendur dështimet e këtij procesi ndonjë diskutues e ilustronte këtë me faktin se disa fabrika në vend të funksionit të tyre prodhues dhe si mundësi të punësimit, u shndërruan në shitore. Nga ana e diskutueseve kërkohej që për këtë temë do të duhej të zhvillohej debat i veçantë dhe shumë më serioz.

Në debat u inkuadrua edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi, i cili në fillim përkujtoi deputetët:"Jemi të obliguar të shqyrtojmë raportet në bazë të Rregullores së Kuvendit". Nuk është lehtë, theksoi ai që pas 10 vjetësh të flasim për këtë proces, i cili nuk rezultoi me punësim më të madh dhe zhvillim. Sa i përket zhvillimit ekonomik ai tha se Kosova ka pasur disa qeveri, që kanë përgjegjësi. Ndërkaq, AKP-ja ishte qeveri më vete, theksoi,z. Krasniqi. Në vijim z. Krasniqi theksoi disa parregullsi në nivel të komunave rreth pronës së paluajtshme, duke theksuar se është luajtur me pronën publike. Në këtë vështrim ai në thumb të kritikës vuri kryetarët e komunave, që, vlerësoi ai, silleshin ashtu si kishin dëshirë. Në këtë vështrim ai përmendi Prishtinën për kaos urbanistik.

Z. Krasniqi shtroi nevojën e formimit të një komisioni hetimor për çështjen e privatizimit, në mbështetje të hulumtimeve të të cilit fjalën përfundimtare do ta jepnin gjykatat. Në këtë kuadër do të hetoheshin edhe veprimet e kryetarëve të komunave, të cilat, si theksoi ai, në këtë proces sillen si mbretër. Ai tha se procesi i privatizimit nuk është vetëm i ndonjë partie."Dështimit të tij i kanë kontribuar të gjithë së bashku. Në privatizim ka marrë pjesë edhe LDK-ja dhe AAK-ja. Ndaj në këtë proces kemi të gjithë përgjegjësi, ndërsa shigjetat nuk duhet të orientohen vetëm në një nivel. Ndërkaq, sistemi gjyqësor nuk ka marrë vendime ndaj veprimeve të kundërligjshme", theksoi kreu i legjislativit të vendit.

Në kundërpërgjigjën e tij , Sabri Hamiti tha se pa marrë parasysh se cila parti ka qenë në qeverisje, duhet të shkohet më tutje. Çdo gjë është e evidentuar. Në vijim z. Hamiti theksoi:"Për këtë proces nuk mund të shpallen të gjithë fajtorë".

Deputeti Muhamet Mustafa, pasi theksoi se për procesin e privatizimit të gjithë janë fajtorë, shtroi kërkesën që Qeveria e Kosovës të hartojë një raport për procesin privatizimit, ndërkaq Lutfi Haziri foli për konfliktin e interesave në institucionet që merreshin me procesin e privatizimit. Ai foli edhe për 20 përqindëshin, të cilin ende nuk e kanë marrë një pjesë e punëtorëve. Në diskutimin e tij Albin Kurti tha se Kosova nuk ka plan të zhvillimit. Ndërkaq, privatizimi nuk ka sjellë zhvillim dhe as liberalizim, pra nuk mënjanoi monopolin.

Pas debatit, Raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për vitin 2011 u hodh në votim, por nuk arriti votat e duhura për miratim.

Në vazhdim u shqyrtua Raporti vjetor i Komisionit të Ndihmës Juridike, për vitin 2011, i cili u miratua nga Kuvendi.

Kuvendi shtyri për një mbledhje tjetër shqyrtimin e dytë të Projektligjit për personat e verbër dhe personat pjesërisht të verbër, për shkak të mosharmonizimit të qëndrimeve lidhur me shkallën e rritjes së të ardhurave për këtë kategori të personave, përkatësisht përcaktimit të bazës referuese të shkallës së kësaj rritjeje.

 

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit