Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 06.06.2012




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, ka diskutuar sot për detyrat e tij, në vështrim të raportit të progresit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2011. U dakordua që gjatë javës së ardhshme, komisioni të mbajë një seancë dëgjimore me institucione dhe agjensione të pavarura, fushëveprimtaria e të cilave lidhet me prokurimin publik.

Në vazhdim të mbledhjes, në të cilën ishte prezent edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, komisioni procedoi me shqyrtimin e raportit me amendamente të grupit punues, për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive. Komisioni përkrahu amendamentet e propozuara, ndërsa për amendamentin 6 votat ishin të barabarta.

Kryetarja Safete Hadërgjonaj, e cila udhëhoqi mbledhjen, e njoftoi komisionin për takimet zyrtare që ka zhvilluar me një delegacion të Komisionit Evropian dhe me përfaqësues nga Hungaria dhe Danimarka (në kuadër të procesit të binjakëzimit të Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit hungarez), si dhe për vizitën studimore që komisioni do ta realizojë gjatë këtij muaji në Shqipëri.

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa