Lajmet e fundit
Takim i përbashkët i kryeparlamentarit Krasniqi dhe Komisionit për Shëndetësi..., me përfaqësues të Qeverisë, BB-së dhe pensionistëve
E Mërkure, 06.06.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka mbajtur sot një takim të përbashkët me Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, përfaqësues të Qeverisë, të Bankës Botërore dhe të pensionistëve, lidhur me pensionet dhe mundësitë e përmirësimit të gjendjes në këtë fushë.
Duke folur për gjendjen e pensionistëve, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se të ardhurat aktuale nuk i plotësojnë nevojat e tyre dhe shtroi nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme. Në këtë kontekst, ai përsëriti idenë për krijimin e një fondi të veçantë për pensionistë, në të cilin do të akumuloheshin mjete nga Fondi i Privatizimit, nga kontributet e të punësuarve dhe bizneset.
"Është normale që gjenerata t'i ndihmojë gjeneratës. Prandaj, të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët", theksoi kryetari Krasniqi.
Përfaqësuesit e pensionistëve, nga ana e tyre, duke e falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për angazhimin dhe përkushtimin në këtë çështje, shtruan serish kërkesat për rritje të pensioneve, duke vlerësuar se gjendja aktuale e tyre është mjaft e rëndë.
Zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, shtroi nevojën e procedimit të projektligjit i cili parasheh rritjen e pensioneve, por tha se krahas kësaj, mund të kërkohen alternativa të tjera, pa nënçmuar pengesat eventuale ligjore që mund të lindin.
Edhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Eshref Shabani, tha se ka disa vite që ministria vazhdon të merret me këtë draftligj, mirëpo, sipas tij, pengesë vazhdon të mbetet mungesa e mjeteve financiare.
Përfaqësues të Vetëvendosjes, ndërkaq, prezantuan propozimin e tyre për krijimin e skemës pensionale.
U dakordua që gjatë ditëve në vijim, dy ministritë e linjës, së bashku me përfaqësues të pensionistëve, FMN-së dhe Bankës Botërore, të hulumtojnë mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve adekuate.