Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 06.06.2012




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Ali Sadriu, temë diskutimi të mbledhjes së sotme kishte shqyrtimin e Raportit të Auditimit për efikasitetin në menaxhimin dhe monitorimin e Kompanive të Ujërave.

Mirëpo, në mungesë të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, shqyrtimi i këtij raporti është shtyrë për një mbledhjen tjetër të radhës.

Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për çështjen e auditorëve të brendshëm në institucionet e pavarura. Me theks të veçantë, u diskutua lidhur me mundësinë e krijimit të njësisë së auditimit të brendshëm në kuadër të Kuvendit të Kosovës që të mbulojë me auditim të brendshëm disa nga agjensitë e pavarura , të cilat nuk i plotësojnë kriteret për themelimin e njësive të pavarura të auditimit të brendshëm.

Në këtë takim të pranishëm ishin: Ismet Krasniqi, Sekretar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe Kosum Aliu, nga Njësia Qendrore Harmonizuese e Auditimit të Brendshëm.

Me këtë rast, Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, tha se aktualisht ky institucion nuk ka kapacitete për të mbuluar auditimin e agjensioneve të cilat i themelon Kuvendi dhe se kjo çështje nuk është e përfshirë në programin e tyre të punës.

Megjithatë, Krasniqi sqaroi se Administrata e Kuvendit për agjensionet e reja ka ofruar në vazhdimësi mbështetje logjistike në dy veprimtari: prokurim dhe certifikim të shpenzimeve

Disa nga anëtarët e komisionit vlerësuan se për krijimin e kësaj njësie në kuadër të Kuvendit të Kosovës, nuk ka bazë ligjore, duke shtuar se Njësia Qendrore Harmonizuese e Auditimit të Brendshëm duhet të shtojë numrin e auditorëve të brendshëm në këtë njësi, në mënyrë që të merret me agjensionet e pavarura.

Anëtarët e komisionit theksuan se Kuvendi i Kosovës, Ministria e Financave, si dhe Auditori Gjeneral duhet të mbajnë një takim të përbashkët për të shikuar mundësitë drejt gjetjes së një zgjidhje afatgjate në këtë drejtim.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike