Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik vizitoi AAC-në
E Mërkure, 06.06.2012
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga kryetari, Zenun Pajaziti, ka vizituar dje Autoritetin e Aviacionit Civil (AAC) dhe Aeroportin Ndërkombëtar "Adem Jashari" të Prishtinës.
Kjo vizitë është realizuar në kuadër të Planit të Punës së Komisionit e cila për qëllim kishte informimin me përgjegjësitë, sfidat dhe angazhimet e këtij institucioni.
Me këtë rast, anëtarët e Komisionit dhe përfaqësuesit e AAC-së, Kosum Kosumi, u. d. i Bordit të AAC-së dhe drejtori i përgjithshëm Dritan Gjonbalaj, debatuan në lidhje me anëtarësimin e AAC-së në ICAO, marrëdhëniet e AAC-së me Komisionin për Hetimin e Aksidenteve pranë Zyrës se Kryeministrit, për çështjet që kanë të bëjnë me nivelin e lartë të hapësirës ajrore dhe sigurinë në aeroport.
Në vazhdën e kësaj vizite, Komisioni vizitoi edhe Aeroportin Ndërkombëtar "Adem Jashari", të Prishtinës (ANP), ku u prit nga përfaqësuesit e ANP-së dhe Konserciumit Turko-Francez "Limak" dhe "Aeroport de Lyon". Me këtë rast, Komisioni bëri një vizitë edhe në Kullën e Navigimit të shërbimit ajror. Të shoqëruar nga kryeshefi ekzekutiv i ANP-së, Bahri Nuredini, Komisioni vizitoi edhe punimet që janë duke u kryer në ndërtimin e Terminalit të ri në Aeroport nga investitori "Limak".