Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione

E Marte, 05.06.2012




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Kosovës, mbajti sot dëgjim publik lidhur me zbatimin e rekomandimeve të Komisionit për mbikëqyrjen e Ligjit për mbrojtje nga dhuna ne familje.

Me këtë rast kryetarja e komisionit, Suzan Novobrdali, sqaroi se komisioni ka për detyrë të përmbushë pikat e dala nga Plani i Veprimit të Kuvendit, që dalin nga Raporti i Progresit, duke përmendur njërin nga këto pika në të cilën vlerësohet se shërbimet për viktimat e dhunës në familje dhe të trafikimit, pjesërisht financohen nga qeveria, të cilat gjerësisht mbeten të varura nga fondet e donatorëve. Andaj, shtoi ajo, është kërkuar që të sigurohet riintegrim afatgjatë të viktimave, duke përfshirë stabilitetin e tyre ekonomik dhe qasjen e tyre në drejtësi. Më tej ajo tha se është kërkuar që të ndërmerren masa pozitive për t'i fuqizuar gratë si viktima të trafikimit dhe dhunës në familje.
Novobrdali sqaroi se lidhur me këtë çështje komisioni ka përfunduar monitorimin e Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe pas monitorimit komisioni ka nxjerrë rekomandime për t'i zbatuar ministritë dhe institucionet përkatëse, të cilat kanë qenë të obliguara të veprojnë në bazë të këtyre rekomandimeve, e që janë miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në këtë takim të pranishëm ishin përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Shëndetësisë, Agjensisë për Barazi Gjinore, Policisë së Kosovës, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me ç‘rast anëtarët e komisionit kërkuan sqarime se çfarë është ndërmarrë për zbatimin e këtyre rekomandimeve.

Lidhur me këtë çështje Edona Hajrullahu, kryeshefe e Agjensisë për Barazi Gjinore, përmendi mes tjerash njërin nga rekomandimet e komisionit, që ka të bëjë më buxhetimin e programit të Kosovës kundër dhunës në familje. Hajrullahu theksoi se vitin e kaluar është miratuar ky program. Ajo sqaroi se për zbatimin e këtij programi janë ndarë 1.6 milionë euro, për tri vjet, duke vlerësuar me tej se kjo tashmë është realizuar.
Duke përmendur rekomandimin e radhës, për emërimin e koordinatorit nacional, Hajrullahu sqaroi se tashmë janë draftuar temat e referencës për emërimin e koordinatorit dhe themelimi i një grupi punues në nivel ndërministror. Ajo sqaroi më tej se për këtë presin nga Ministria e Drejtësisë që të marrë përsipër koordinimin e zbatimit të strategjisë për dhunën në familje.
Hajrullahu theksoi se të gjitha obligimet dhe detyrat të cilat kanë qenë në mandatin e ABGJ-së janë përfunduar.

Edhe Tahire Haxholli, nga Policia e Kosovës, tha se PK-ja pothuajse shumicën e këtyre përgjegjësive dhe detyrave i ka përfunduar, ndërsa foli më tej edhe për procedurat që ndërmerr PK-ja pas paraqitjes së rasteve të dhunës në familje.
Ajo tha se në rregulloren e punës së PK-së janë duke u bërë ndryshimet për rastet e dhunës në familje dhe mbrojtjes në familje. Ajo shtoi se janë bërë ndryshime edhe për trajtimin e fëmijëve të cilët janë viktimave të dhunës.
Duke u përgjigjur në pyetjet dhe shqetësimet e shumta që ngritën disa nga anëtaret e komisionit, Haxholli mes tjerash sqaroi se PK-ja ka botuar broshura për vetëdijësimin e viktimave të dhunës dhe për të drejtat e tyre.

Gjatë këtij takimi foli edhe Adile Shaqiri, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ajo tha se Ministria e Punës duke respektuar obligimin që del nga Ligji për Mbrojtjen nga dhuna në familje, ka hartuar draftin fillestar për akte nënligjore, udhëzimin administrativ për përcaktimin e vendit dhe mënyrës për trajtimin psikosocial të kryesve të dhunës në familje. Ajo sqaroi se drafti i parë ka mbaruar dhe pritet të nënshkruhet nga kryeministri, ndërkaq drafti i dytë është në shqyrtim. Duke folur për strehimoret e viktimave të dhunës në familje, ajo tha se që nga viti 2006 kjo ministri vazhdon të mbështesë OJQ-të në këtë drejtim, me një shumë modeste, sa për të mbuluar nevojat elementare të viktimave dhe rehabilitimin e tyre.
Ndërsa, zyrtarja për barazi gjinore në Ministrinë e Shëndetësisë, Nazmije Kajtazi, tha se sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, MSH-ja është e obliguar që të nxjerrë akt nënligjor, për mënyrën e trajtimit të personave ndaj të cilëve është shqiptuar masa mbrojtëse e trajtimit të obligueshëm mjekësor, atyre nga varësia e alkoolit dhe substancave psikotrope. "Ne e kemi draftuar këtë udhëzim", tha Kajtazi.
Duke folur për rekomandimet e dala nga komisioni, me theks të veçantë për shërbimet e urgjencës në QKUK dhe shtëpitë e shëndetit, ajo tha se MSH-ja ka formuar grup pune për sistem informativ të shëndetësisë, me qëllim të posedimit të statistikave.
"Në draft-ligjin për shëndetësi kemi propozuar që viktimat e dhunës në familje të jenë kategori e veçantë në ligj dhe të lirohen nga pagesa e shërbimeve shëndetësore. Kjo ka hasur në mirëkuptim dhe ligji është në qeveri, ndërsa tani pritet të kalojë në Kuvend", sqaroi Kajtazi duke shtuar se nga strategjia kombëtare dhe Plani i Veprimit 2011 -2014 për dhunën në familje ka filluar punën një grup pune për hartimin e protokollit shëndetësor të trajtimit të viktimave të dhunës në familje.

Gjatë këtij dëgjimi publik u theksua se në bazë të statistikave të PK-së, Prishtina prin me numrin më të lartë të statistikave të dhunës në familje. Kjo për arsye të numrit më të lartë të banorëve, ndërsa në vendet rurale u tha se raportimi i këtyre rasteve është shumë më i ulët.
Anëtarët e Komisionit kërkuan në detaje sqarime lidhur me dënimin e kryesve të dhunës dhe për mbrojtjen dhe trajtimin e viktimave, ndërsa duke folur për trashëgiminë e pronës u tha se në Kosovë ka raste të rralla të regjistrimit të pronave në emër të dy bashkëshortëve dhe kjo për arsye të pagesës. U kërkua nga deputetët që të ngritin këtë çështje në mënyrë që femra të kursehet nga pagesa në regjistrimin e pronës.
Po ashtu nga gratë deputete u kërkua që të bëhet fushatë edhe lidhur me financimin e banesave sociale për rastet e dhunës në familje.

Krejtësisht në fund, anëtaret e komisionit, theksuan se rekomandimet të cilat nuk janë plotësuar nga ana e këtyre institucioneve përkatëse të realizohen në një afat sa më të shkurtër.

Nga dëgjimi publik i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione